AKTUALITET, 26 Prill 2026, 15:28

Identifikohen viktimat e atentatit në Lezhë, të vrarët janë bashkëshortë

Identifikohen viktimat e atentatit në Lezhë, të vrarët

Detaje të reja dalin nga atentati i rëndë i ndodhur në Balldren të Lezhës, ku një automjet tip Audi Q7, me ngjyrë të zezë, u qëllua me breshëri plumbash.

Sipas informacioneve më të fundit, një nga viktimat është identifikuar si Kreshnik Mujeci, i cili udhëtonte së bashku me bashkëshorten e tij. Çifti dyshohet se ka humbur jetën në vend si pasojë e të shtënave.

Automjeti në të cilin ndodheshin është gjetur i bërë shoshë nga plumbat, ndërsa autorët dyshohet se kanë vepruar në mënyrë të mirëorganizuar, duke i zënë pritë.

Kreshnik Mujeci ishte arrestuar në vitin 2017 bashkë me vëllain e tij, pasi dyshoheshin për një vrasje të ndodhur një vit më parë. 

Sipas njoftimit të policisë të asaj kohe, në vitin 2017 u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e dy personave të shpallur në kërkim, vëllezërve Lin Mujeci, 38 vjeç, dhe Kreshnik Mujeci, 30 vjeç, të dy banues në Torovicë të Lezhës. Ata dyshoheshin si autorë të vrasjes së shtetasit G.M., një ngjarje e ndodhur më 6 tetor 2016 në fshatin Mali i Jushit në Shkodër.