AKTUALITET, 17 Prill 2024, 21:04

Atentati ndaj Gentian Bejtjas në Fushë-Krujë, çfarë ndodhi në orët pas vrasjes dhe si u zbuluan autorët e dyshuar

Atentati ndaj Gentian Bejtjas në Fushë-Krujë, çfarë

Janë zbardhur detaje nga atentati ku mbeti i vrarë Gentian Bejtja, ngjarje e ndodhur në Fushë Krujë, pranë banesës së viktimës, me dëshmitë se çfarë ka ndodhur pas vrasjes, si u larguan autorët e dyshuar të krimit nga vendi i ngjarjes dhe si u arrestuan më pas.

A mundet të jetë kjo një nga vrasjet më të sofistikuara, ku grupi kriminal që kreu ekzekutimin e Gentjan Bejtjas, brenda oborrit të banesës së tij, të jetë treguar aq i kujdesshëm në lëvizje, sa të ketë fshirë çdo gjurmë të mundshme të vrasjes. Edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj nga dita e ekzekutimit dhe krimi mund të duket deri diku perfekt, dhe pavarësisht mënyrës gati sterile të të bërit të punës, duket se jo gjithçka ka shkuar në perfeksion për togën e qitësve dhe porositësit e vrasjes. Mesa duket gjatë largimit të tyre nga vendi i ngjarjes, në arratinë për t'i shpëtuar policisë, nuk kanë mundur t’i shpëtojnë kamerave të sigurisë, por edhe syrit të dëshmitarëve okularë. Ata i kanë parë të maskuar jo shumë larg vendit të ngjarjes, vetëm pak minuta pasi krimi u konsumua pasditen e datës 15 mars në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.

Çfarë ndodhi në orët që pasuan vrasjen e Gentjan Bejtjes, ku të arrestuar tashmë janë Ilir Beqaraj i cili mban edhe mbiemrat Brahimi dhe Mancellari, lindur në Milot, por banues në Tiranë si dhe Edison Haxhiu, edhe ky lindur në Milot dhe banues në kryeqytet, të dy me arsim 8-vjeçar, ndërsa i pari jeton në një nga vilat e komplekseve luksoze në periferi të Tiranës.

Por ajo çka duket se i ka tradhtuar dy të ndaluarit e parë mbi këtë ngjarje kriminale, ka qenë lëvizja e një automjet tip Golf i Zi, pranë vendit ku u dogj makina e autorëve. Ky automjet është parë të lëvizë me shpejtësi pranë fshatit Hasan, ku edhe u gjet i shkrumbuar mjeti tip Land Rover i dyshuar, se u përdor në krim.

“Më datë 15 Mars 2024, rreth orës 16:14 persona të paidentifikuar kanë vrarë me armë zjarri, në ambientet brenda oborrit të banesës së tij në fshatin Larushk, Fushë-Krujë, shtetasin Gentjan Bejtja.  Ku autorët pasi kanë realizuar qëllimin kriminal janë larguar me një automjet të markës ‘Land Rover Discovery’ me ngjyrë të zezë, që pak minuta më pas e kanë braktisur dhe djegur në fshatin Hasan, Fushë Krujë”, thuhet në dosje.

Por ndërsa mendohej se krimi u krye nga një makinë e vetme, në këtë rast Land Rover Discovery, grupi i hetuesve ka bindjen se në këtë ngjarje të pranishme kanë qenë dy automjete, që më pas kanë ndarë rrugët e tyre. Një nga këto automjete të identifikuara edhe nga kamerat e sigurisë është edhe një Golf i Zi, që më pas u verifikua se i përkiste shtetasit Edison Haxhiu, tashmë i ndaluar nga policia.

“Nga këqyrja paraprake e kamerave të sigurisë të marra nga një subjekt privat në rrugën kryesore, që lidhet me rrugicën që të dërgon në banesën e shtetasit Gentjan Bejtja, rezulton se në orën 16:14 aty futet një automjet në dukje i markës ‘Land Rover’ Discovery me ngjyrë të zezë, që dy minuta më pas, në orën 16:16 largohet duke dalë në rrugën kryesore dhe lëvizur në drejtim të mbikalimit të Fushë- Krujës. Nga të dhënat e siguruara ně rrugë operative, është mësuar se autorët pasi kanë djegur mjetin e markës ‘Land Rover’, në fshatin Hasan, Fushë-Krujë janë ndarë dhe larguar në drejtime të ndryshme. Përkatësisht me një automjet tip ‘Golf’ me ngjyrë të zezë pa targë në pjesën e pasme dhe një mjet tjetër”, thuhet në dosjen hetimore.

Po ndërsa automjeti tip ‘Land Rover’, që u pa të hynte dhe të dilte në harkun kohor të dy minutave në rrugicën që të çon në banesën ku më pas u vra Gentjan Bejtja, u verifikua që ishte i vjedhur në muajin korrik të vitit 2023 në qytetin e Shkodrës, ndërsa targat në Tiranë, në fillim të vitit 2024, mjeti tjetër tip ‘Golf’ i zi i dyshuar se është përdorur në krim, është parë të lëvizë pa targa të pasme pranë vendit ku po digjej makina e autorëve.

“Nga këqyrja e kamerave të sigurisë të subjekteve private pranë vendit ku po digjej makina ‘Land Rover Discovery’, në fshatin Hasan të Fushë-Krujës, është parë të lëvizë me shpejtësi një automjet tip ‘Golf’ me ngjyrë të zezë. Që më pas konstatohet në autostradë, në sens lëvizje Fushë Krujë-Vorë, dhe teksa futet në fshatin Bubq. Mjeti tip ‘Golf’ me ngjyrë të zezë, që rezulton se nuk ka targa të pasme”, thuhet në dosje.

Por kjo nuk është lëvizja e vetme që mjeti tip ‘Golf’ kryen përgjatë këtij intervali kohor. Edhe pse në momentin e parë, grupi hetues nuk mundi të shquajë nëpërmjet pamjeve filmike, targën në pjesën e përparme të automjetit, në mungesë të atyre të pasme, kjo gjë u mundësua pasi kjo makinë shikohet teksa lëviz në një tjetër itinierar. Këtë herë vetëm 25 minuta pasi ishte kryer vrasja e Gentjan Bejtjas, në zonën e Ishmit në Durrës. Nëpërmjet targës u arrit të identifikohej edhe pronari i automjetit.

 “Në orën 16:40, automjeti ‘Golf’ shfaqet në lëvizje në Ishëm, nga ku dallohet targa e parë ‘AB 960 GG’. Nga verifikimet në sistemin E-gjoba, rezulton se targa ‘AB 960 GG’ i përket automjetit të markës ‘Ëolksvagen’, modeli ‘Golf’ me ngjyrë të zezë, në pronësi të shtetasit Edison Haxhiu, lindur në Milot dhe banues në Tiranë. Automjet që figuron ‘Alert’, pasi më datë 12 Gusht 2022 është konstatuar nga radarët e policisë rrugore, duke qarkulluar në aksin rrugor Laç-Thumanë, me shpejtësi tej normave të lejuara”, thuhet në dosjen hetimore.

Do të ishte pikërisht ky konstatim që do të çonte edhe në identifikimin e një personi të dytë, që edhe ky dyshohet se është një nga personat që ka marrë pjesë si bashkëpunëtor në vrasjen e Gentjan Bejtjas, pasditen e 15 marsit në serën në oborrin e banesës së tij në fshatin Larushk të Fushë-Krujës.

Ky person do të ishte Ilir Beqaraj që mbante edhe mbiemrat Brahimi dhe Mançellari, i cili del se kishte hyrje-dalje të shumta nga pikat kufitare me mjetin tip ‘Golf’ të zi, bashkë me pronarin e këtij automjeti, Edison Haxhiu dhe një person të tretë të identifikuar me inicialet A.M.

 “Nga verifikimet në sistemet që administrohen nga Policia e Shtetit, rezulton se me automjetin e markës ‘Golf’ me targa ‘AB 960 GG’, kanë udhëtuar dhe janë regjistruar në hyrje-dalje, të vendkalimeve kufitare përveç pronarit Edison Haxhiu dhe shtetasi A.M dhe Ilir Beqaraj (alias Brahimi, apo Mançellari) lindur në Milot dhe banues në Tiranë. Ku në vijim janë administruar dhe këqyrur pamje filmike përgjatë intenerarit që dyshohet se kanë përshkruar autorët për t’u afruar dhe larguar nga vendi i ngjarjes”, thotë dosja e siguruar nga emisioni "Në Shënjestër".