AKTUALITET, 26 Janar 2023, 12:38

Dhunimi i gazetarit Hila në Lezhë, Avokati i Popullit: Autoritetet të marrin masa

Dhunimi i gazetarit Hila në Lezhë, Avokati i Popullit: Autoritetet

Avokati i Popullit ka dënuar dhunimin e gazetarit Elvis Hila në Lezhë ditën e djeshme.

Me anë të një postimi në Facebook, institucioni i Avokatit të Popullit shkruan se gazetarët janë një mekanizëm të interesit publik për të informuar publikun. Po ashtu shkruhet se Avokati i Popullit dënon agresionin e dhunshëm ndaj tij. 

Postimi i Plotë:

Institucioni i Avokatit të Popullit është njohur me rastin e dhunimit të gazetarit Elvis Hila, i cili është në detyrën e korrespondentit të Report TV në qytetin e Lezhës. Sipas denoncimit të vetë gazetarit të bërë publik në media, ai dhe bashkëshortja e tij janë kërcënuar e më pas dhunuar për shkak të publikimit të një lajmi.

Avokati i Popullit i konsideron gazetarët një mekanizëm të interesit publik për t’u informuar andaj për ne çdo sulm ndaj gazetarëve shihet si sulm ndaj këtij interesi.

Avokati i Popullit e dënon këtë agresion të dhunshëm dhe u bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese të ndërmarrin masa energjike e të efektshme.

Si ndodhi ngjarja? 

Gazetari Elvis Hila është dhunuar ditën e sotme për shkak të detyrës. Pre e sulmit ka rënë edhe bashkëshortja e tij. Vetë gazetari Hila ka bërë kallëzimin në Polici, në të cilin ka deklaruar se ngjarja ka ndodhur këtë pasdite dhe se gjithçka lidhet me një lajm që ai ka publikuar për Fran Amerin, një qytetar i shpallur fajtor për veprën penale "Falsikim Dokumentesh".

 Hila thotë se fillimisht është telefonuar nga dy personat e shpallur në kërkim për ngjarjen në fjalë Paulin Përgjini dhe Indrit Ameri, të cilët i kanë lënë takim. Në momentin që është përballur me ta, gazetari thotë se personat në fjalë kanë nisur ta kërcënojnë dhe t’i kërkojnë llogari për lajmin.

Më pas e kanë dhunuar. Mes tyre ka ndërhyrë dhe bashkëshortja e Hilës, të cilën e kanë qëlluar gjithashtu. Burrë e grua kanë përfunduar në spital, ku kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por ndodhen jashtë rrezikut për jetën.