AKTUALITET, 12 Janar 2023, 11:21

I dënuar për mashtrim në Shqipëri, arrestohet në SHBA avokati shqiptar

I dënuar për mashtrim në Shqipëri, arrestohet në SHBA
Gazmir Xhurxhi

Oficerët e Operacioneve të Zbatimit dhe Largimit të Emigracionit dhe Doganave në SHBA kanë arrestuar më datë 9 janar avokatin shqiptar Gazmir Xhurxhin, i cili rezulton i dënuar nga gjykata shqiptare për mashtrim.

ZRRE-ja e Nju Jorkut bën me dije se e arrestoi avokatin, pa incidente jashtë rezidencës së tij në Brooklyn.

“Oficerët tanë duhen lavdëruar për ndjekjen dhe arrestimin e këtij të arratisuri nga drejtësia,” tha Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Zyrës në terren të ZRRE-së në Nju Jork, Kenneth Genalo.

“SHBA nuk do të jetë një strehë për ata që kërkojnë t’i shpëtojnë drejtësisë për krimet e tyre”, shtoi ai.

Gjykata e Tiranës, më 8 maj 2019, e dënoi Xhurxhin me 1 vit e 4 muaj burg për veprën penale të mashtrimit.

Ai ishte arrestuar më 18 janar 2018 nga policia shqiptare në operacionin e koduar “Avokati”, duke u akuzuar për veprat penale “Mashtrim në shuma të mëdha”, “Fshehje të ardhurave” dhe “Falsifikim i dokumentave”, parashikuar nga nenet 143/2, 180 dhe 186 i K.Penal”, pasi; shtetasi Gazmir Xhurxhi me profesion avokat, i ka marrë nëpërmjet mashtrimit 1.700.000 lekë, (1.7 milionë lekë të reja), duke falsifikuar disa fatura dhe dokumenta shtetasit; H. D, 59 vjeç, banues në Klos.

Më 3 tetor 2018, Doganat dhe Mbrojtja Kufitare e SHBA-së e pranuan Xhurxhin në Shtetet e Bashkuara në Nju Jork si vizitor joemigrues me autorizim për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara për një periudhë të përkohshme që nuk kalon datën 2 Prill 2019.

Sipas zyrës së emigracionit në Nju Jork, Xhurxhi qëndroi në Shtetet e Bashkuara edhe pas kësaj date pa autorizim.