TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha zhvilloi një takim në Romë me Piero Fassino, Zëvendëspresidentin e Komitetit të Mbrojtjes të Dhomës së Deputetëve të Republikës Italiane, si dhe President i Komitetit të Ballkanit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Hoxha vlerësoi se Fassino është një mik i Shqipërisë dhe popullit shqiptar, dhe një mbështetës aktiv dhe i palodhur i integrimit Europian të Ballkanit Perëndimor.
Në qendër të diskutimit ishin progresi i Shqipërisë në procesin e pranimit në BE, angazhimi ynë i palëkundur për zbatimin e reformave ambicioze, përfundimi me sukses i standardeve që çuan në miratimin e IBAR, dhe puna që na pret drejt mbylljes së kapitujve negociues.
Gjithashtu Hoxha bëri të ditur se në takim u shkëmbyen mendime mbi ritmin dhe afatet kohore të procesit të zgjerimit, duke riafirmuar rëndësinë e ruajtjes së momentumit aktual dhe për të përparuar me vendosmëri drejt objektivit tonë strategjik për përfundimin e negociatave brenda kësaj dekade.
Hoxha theksoi se ky nuk është vetëm një prioritet kombëtar, por edhe përmbushja e aspiratës europiane që breza të tërë shqiptarësh e kanë mbartur dhe punuar për shumë vite.
“Ne ramë dakord që zgjerimi mbetet një nga politikat strategjike më të suksesshme të Bashkimit Evropian, e aftë të nxisë transformimin, stabilitetin dhe prosperitetin. Gjithashtu shkëmbyem mendime mbi dinamikën aktuale në Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit rajonal, forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe avancimit të integrimit evropian të të gjithë rajonit”, tha Hoxha.
Sipas tij, në një mjedis gjeopolitik gjithnjë e më kompleks, një rajon i sigurt, i qëndrueshëm dhe i begatë është një imperativ strategjik për sigurinë, unitetin dhe besueshmërinë e Evropës në tërësi.
“Ne ramë dakord që momentumi i ripërtërirë i zgjerimit të BE-së përfaqëson një mundësi historike që duhet të shfrytëzohet nga të gjitha vendet e rajonit përmes reformave, dialogut dhe bashkëpunimit të zgjeruar rajonal”, u shpreh ministri.