AKTUALITET, 20 Prill 2024, 12:49

U përplasën me policinë gjatë protestës tek Bashkia Tiranë, procedohen në gjendje të lirë Tedi Blushi dhe Klevis Balliu

U përplasën me policinë gjatë protestës tek Bashkia

Policia ka proceduar në gjendje të lirë anëtarin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushin dhe ish-deputetin, Klevis Balliu, pas protestës së djeshme (19 prill) ku u hodhën bomba molotov në drejtim të godinës së Bashkisë.

Ndërkohë në prangat e policisë kanë rënë tre persona, përkatësish dy 18-vjeçarët Kevin Vidrica dhe Bernard Metaliaj për përdorim të molotovit, si edhe shtetasin Franci Kaloshi, banues në Lushnjë, për ushtrim dhune ndaj efektivëve.

Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur molotov.

Policia infomon se në momentin që ka marrë fjalën Belind Këlliçi, janë hedhur sende të forta dhe bomba molotov në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë.

Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e Flamur Nokës, Klevis Ballut, Tedi Blushit dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit “Skënderbej”, dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis tyre dhe efektivëve

“Pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike”, informon policia.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me protestën e organizuar ditën e djeshme, më datë 19.04.2024, në orën 11.00, përpara Bashkisë Tiranë, thirrur nga Aleanca për Teatrin, e cila filloi në orën 11.00 me fjalime dhe përgjithësisht e qetë, në momentin që ka marrë fjalën shtetasi B. K., në drejtim të portës hyrëse të Bashkisë Tiranë, janë hedhur sende të forta dhe lëndë piroteknike artizanale (molotov).

Pas kësaj një grup protestuesish, në drejtimin e shtetasve F. N., K. B., T. B., dhe të personave të tjerë, kanë tentuar të çajnë kordonin e Policisë, në portën tjetër të Bashkisë, nga krahu i sheshit “Skënderbej”, dhe gjatë këtij momenti ka patur konfrontim midis protestuesve dhe punonjësve të Policisë.

Pas përfundimit të protestës janë kryer veprimet procedurale, është këqyrur vendi i ngjarjes, ku janë sekuestruar në cilesinë e provës materiale objekte dhe sende të hedhura në drejtim të Bashkisë Tiranë, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Për përdorim të lëndëve piroteknike (molotov) janë arrestuar në flagracë shtetasit K. V., 18 vjeç, dhe B. M.,18 vjeç. Gjithashtu po punohet për identifikimin dhe kapjen e dy shtetasve, të cilët kanë hedhur dhe kanë përdorur lëndë piroteknike (molotov).

Për ushtrim dhune ndaj punonjësve të Policisë është arrestuar shtetasi F. K., banues në Lushnjë.

Janë proceduar ne gjendje të lirë shtetasit K. B., T. B., E. V., D. B. Po punohet për kapjen e shtetasve A. T., R. D., A. M., J. H., B. Z., B. Gj., E. P., dhe A. P.

Gjithashtu janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e pamjeve për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprime të mëtejshme.