AKTUALITET, 3 June 2026, 13:05

Hetimet e SPAK për 'Zvërnecin', Rama: Zhvillim pozitiv, u jep përgjigje edhe pretendimeve për pronësinë e tokave private. Paratë i mbeten Shqipërisë, nëse...!

Hetimet e SPAK për 'Zvërnecin', Rama: Zhvillim pozitiv, u

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me debatin për çështjen e ndërtimit të një resorti luksoz në zonën e Zvërnecit, që ka sjellë edhe reagime të shumta qytetare dhe protesta masive.

Sipas Ramës, sqarimi i plotë dhe përfundimtar i origjinës së fondeve të transferuara përmes sistemit bankar sjell qartësi për investitorët, të cilët , siç tha kryeministri, janë edhe pronarë të ligjshëm të pronës.

Rama vlerësoi vendimin e SPAK  për të mbajtur të ngrira fondet e transaksionit dhe për të mos lejuar kalimin e tyre te shitësi, ndaj të cilit po zhvillohet një proces hetimor.

"Besoj që i dëgjuat vendimet e qeverisë sot, por kam dalë për një arsye tjetër që nuk ka të bëjë me mbledhjen e qeverisë, por ka të bëjë me një zhvillim që unë e konsideroj shumë pozitiv lidhur me procesin e verifikimit të transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec", tha Rama!

Sipas tij, nëse hetimet provojnë se shitësi ka origjinë legjitime të pronës, ai do të përfitojë fondet e bllokuara. Në të kundërt, nëse prona rezulton pa bazë të ligjshme, fondet do t’i mbeten shtetit shqiptar

“Një zhvillim që unë e konsideroj pozitiv lidhur me procesin e verifikimi të transkasionit lidhur me blerjen e tokës në Zvërnec. Që do të thotë me sqarimin e plotë dhe përfundimtar të origjinës së fondeve të kaluara përmes bankës dhe me çlirimin përfundimtar të investitorëve që tani janë edhe pronarë.

Nga ana tjetër e konsideroj pozitive që SPAK ka vendosur të mbajë të ngrira fondet pa i lënë të kalojnë tek shitësi, për të cilin ka një proces hetimor. Kjo në këndvështrimin tim është pozitive edhe për këdo që pretendon pronë në atë territori.

Çështja e origjinës së pronës do të mbulohet nga një hetim i pavarur dhe profesional përmes SPAK. Në të dyja rastet rezultati do të jetë i padiktueshëm nga pikëpamja ligjore, ndërsa nga pikëpamja e pretendimeve do ti japë fund çdo spekulimi çdo manipulimi dhe pretendimi që nuk është i bazuar në ligj.

Në rast se shitësi ka një origjinë legjitime të pronës do marrë paratë, në rast se nuk e ka, paratë do ti mbeten Shqipërisë dhe ato do të përdoren për cilindo që do të provojë se pretendimin mbi pronën e ka të bazuar“, tha Rama.