AKTUALITET, 5 Shkurt 2025, 13:25

Heqja e 'non gratas' në SHBA/ Berisha: Nuk është përparësi e Trump në këtë kohë! Do t'i shkruaj sapo të plotësohet administrata e re

Heqja e 'non gratas' në SHBA/ Berisha: Nuk është

Në një konferencë me gazetarët, kryetari i PD pranon se nuk ka nisur ndonjë lobim që presidenti Donald Trump t’i heqë non gratën, edhe pse në fakt me fitoren e tij trumbetoi bashkë me militantët se do t’i hiqej shumë shpejt nga lista e zezë e SHBA. 

Madje vetë Berisha e pranon, se nuk është përparësi e Trump ky problem, por thekson se do t'i shkruajë sapo të plotësohet administrata e re. 

“Jo, unë nuk e kam filluar lobimin sepse janë gjithsej 14 ditë që ka filluar administrata e re. Dhe unë nuk besoj që në ditët më të para të saj, të jetë përparësi ky problem.

Kështu që unë jam i vetëdijshëm se duhet të plotësohet administrata, d.m.th është një proces konfirmimesh që duhet të kalojë në Kongres. Dhe procesi i konfirmimeve të zyrtarëve nuk është vetëm për sekretarët e shtetit, por edhe për persona nën rangun e tyre”, tha Berisha.

Në akuza u ndal sërish për George Soros, për të cilin thotë se punoi që ta shpallte non grata.

“Unë pres që të plotësohet administrata e re dhe pa asnjë diskutim do i drejtohem administratës së re. I vetmi shkak që nuk i jam drejtuar është kjo.

Dhe jam besimplotë sepse është kuptuar universalisht që ai ishte një akt politik i George Sorosit dhe se Sekretari i Shtetit e ka bërë atë pa respektuar asnjë ligj të vendit të vet, pa asnjë dokument në dosje, thjesht me lobimin korruptiv të Geroge Sorosit”, vijoi Berisha.