TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një sulm kibernetik dyshohet se ka goditur sistemet e Gjykatës së Lartë në Shqipëri, ndërsa përgjegjësinë për ndërhyrjen e ka marrë një grup që e quan veten “Homeland Justice”.
Në një mesazh të publikuar online, ky grup pretendon se ka depërtuar në rrjetet e sistemit gjyqësor dhe se ka siguruar të dhëna dhe dokumente që, lidhen me funksionimin e brendshëm të institucioneve të drejtësisë.
"Ky është një mesazh nga 'Homeland Justice' për Qendrën e Padrejtësisë në Shqipëri. Të dhënat dhe dokumentet e kësaj strukture të korruptuar janë në duart e patriotëve të “Homeland Justice”. Ju duhet të paguani çmimin për bashkëpunimin dhe shoqërimin e terroristëve muxhahedinë. Ky është vetëm fillimi i një kapitulli të ri të “Homeland Justice".
A u krijua Gjyqësori për të mbrojtur të drejtat e të shtypurve dhe të shtypurve apo për të mbështetur terroristët e huaj? Njerëzit po pyesin veten pse, pavarësisht historisë së turpshme të terroristëve Muxhahedinë dhe vrasjes së mijëra njerëzve të pafajshëm, Gjyqësori bashkëpunoi me ta në vend që t'i nxirrte në gjyq? Pse Gjyqësori u dha atyre dokumente identiteti të falsifikuara? Pse dha leje për të ndërtuar Kampin Ashraf 3 me paratë e taksapaguesve shqiptarë?"-thuhet në mesazh.
Deri në këto momente, nuk ka një konfirmim zyrtar nga autoritetet shqiptare mbi përmasat e sulmit apo nëse të dhëna sensitive janë komprometuar.
Institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike pritet të verifikojnë autenticitetin e pretendimeve dhe të vlerësojnë ndikimin e mundshëm.
Por, kjo nuk është hera e parë që grupi i hakerave “Homeland Justice”, kryen sulme ndaj instuticioneve shqiptare. Më 25 mars “Homeland Justice” sulmoi sistemet e Postës Shqiptare, vetëm pak ditë pasi edhe Kuvendi i Shqipërisë ra pre e një sulmi kibernetik. Kuvendi i Shqipërisë njoftoi se sulmi pati si synim fshirjen e të dhënave dhe cënimin e sistemeve të brendshme, por rezultoi se infrastruktura kryesore e punës nuk u prek.
Nisur nga kjo ngjarje, në një seancë plenare të jashtëzakonshme Kuvendi miratoi pa prezencën e Partisë Demokratike, me 79 vota pro, 1 abstenim dhe 0 kundër projekt-rezolutë për shpalljen e Iranit sponsor të terrorizmit dhe shtet që përdor mjete terroriste. Rezoluta dënoi sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë dhe u bëri thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa kundër terrorizmit.