AKTUALITET, 17 Mars 2026, 17:07

Gruaja u rrëzua nga motoçikleta, autoboti i UKT-së e përplasi, kamerat e sigurisë tregojnë se si ndodhi aksidenti tragjik në Tiranë

Gruaja u rrëzua nga motoçikleta, autoboti i UKT-së e

Një aksident me pasoja fatale është regjistruar mesditën e kësaj të marte në Tiranë. Autoboti i UKT-së përplasi një grua 72-vjeçare që lëvizte me motoçikletë elektrike në bulevardhin Gjergj Fishta, në zonën e njohur si ish-ekspozita.

Si pasojë e përplasjes Athina Bushi humbi jetën në vend. Drejtuesi i autobotit të UKT, një 52-vjeçar u shoqërua në polici për veprime të mëtejshme hetimore.

Ndërsa grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e plota dhe shkaqet e aksidentit fatal. Nga kqyrja e pamjeve të kamerave të sigurisë, burimet bëjnë me dije se gruaja 72-vjeçare është penguar duke lëvizur me motomjetin elektrik dhe ka rënë në rrugë, por autoboti që drejtohej nga 52-vjeçari e ka përplasur me rrotat e pasme.

Drejtuesi i mjetit nuk rezultoi të ishte nën efektin e alkoolit, ndërsa në deklarimet e tij ka pohuar se nuk e ka parë të moshuarën kur është rrëzuar. Pas aksidentit fatal, në reagimin e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, teksa i shpreh ngushëllimet familjarëve të viktimës, deklaron se janë duke ndjekur me seriozitet zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.