TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha sot se qeveria është e gatshme të reflektojë dhe të jetë kritike ndaj vetes, por jo të ndërpresë mandatin për shkak të një ngjarjeje të vetme.
Gjatë një komunikimi për mediet pas mbledhjes së qeverisë teksa u pyet në lidhje me protestat e vazhdueshme të qytetarëve, Gonxhja tha se kërkesat për dorëheqjen e të gjithë qeverisë nuk marrin parasysh përgjegjësitë që mazhoranca ka ndaj qytetarëve dhe mandatit të marrë përmes votës.
“Mund të ketë momente që ne mund të jemi si të themi edhe më kritikë ndaj vetes dhe nuk diskutohet që ne nuk e përjashtojmë këtë gjë. Nga ana tjetër të themi në mënyrë të beftë për një ngjarje, që nisur nga diçka që ka ndodhur dhe që ishte e dënueshme që u adresua në mënyrë të menjëhershme nga shteti. Ose të gjithë përtokë ose dorëheqje gjithë qeveria dhe të lëmë çdo gjë në mes dhe secili të heqë dorë nga gjithçka pa e ditur se çfarë është ajo që propozohet më duket se është në situatë që kalon përtej meje si ministër, kalon përtej nesh. Kjo është një gjë që nuk merr parasysh asnjë nga përgjegjësitë tona, ne mbartim shumë përgjegjësi karshi qytetarëve, karshi vendit karshi një kontrate që përfaqësojmë këtu. Ne nuk jemi vetëm vetvetja”, u shpreh Gonxhja.
“Është shume e rëndësishme të kuptohet se në radhë të parë në respekt të vet protestës si institucion, që ne të sillemi me përgjegjësi ndaj të gjithë atyre që na kanë votuar pavarësisht sesa mund të jetë ky numër sot, ne duhet të respektojmë vullnetin e të gjithë qytetarëve se vetëm kështu mund të mendojmë që mund të kemi një rezultat akoma dhe më të mirë për atë që mund të ishte një reflektim i të gjithëve për atë që mund të ketë ndodhur, për atë që do të kemi sfidë në çdo sektor që ne drejtojmë dhe nuk ka asnjë mundësi që në te kemi një Shqipëri perfekte befas, menjëherë dhe në kaq pak vite të një periudhe kur Partia Socialiste, kur kjo mazhorancë, kanë kaluar dhe sfida që ju i dini shumë mirë”, tha Gonxhja.
Gonxhja nënvizoi se Shqipëria ka kaluar me sukses sfida të mëdha si tërmeti dhe pandemia, ndërsa shtoi se vendi sot është “më mirë se kurrë më parë”. Sipas tij, kjo nuk do të thotë se nuk ka probleme, por nuk justifikon, sipas tij, “hedhjen poshtë të gjithçkaje që është bërë ndër vite” apo vënien në diskutim të mandatit të sapokonfirmuar nga zgjedhjet e majit 2025.
“Në mandatin që ne kemi kaluar mund të themi me zë të lartë që kanë qenë të ndikuara në mënyrë shumë të fortë dhe nga tërmeti që kaluam, por edhe nga pandemia, kanë qenë vite e vite që ne jemi përpjekur të superojmë një prej situatave më të vështira që bota ka kaluar. Shqipëria i ka superuar këto situata, Shqipëria sot është në këmbë, Shqipëria është më mirë se kurrë më parë, por ne i kuptojmë se pritshmëritë dhe niveli i lartë i kërkesë së qytetarëve tanë që është edhe i yni, është shumë i lartë sot dhe niveli shumë i lartë i pritshmërisë ndonjëherë nuk përputhet me realitetin, por kjo nuk do të thotë se ky nivel pritshmërie do të justifikonte gjithë anatemimin dhe gjithë hedhjen poshtë të gjithçkaje të bërë gjithë këto vite. Aq më pak në kuptimin që kjo qeveri dhe ky mandat i sapofilluar dhe ne vijmë nga votimet e majit të vitit 2025 më të konfirmuar se kurrë, të mund të vihet në diskutim në këtë nivel”, tha ai.
Ai theksoi se qeveria është e vetëdijshme për pritshmëritë e larta të qytetarëve dhe do të reagojë me proporcionalitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi ndaj çdo shqetësimi të ngritur në protestë.
“Ne kuptojmë pjesën emocionale, ndjeshmërinë e qytetarëve dhe ndjekim çdo zhvillim në vend dhe do të mundohemi shumë që të reagojmë në mënyrë proporcionale në kuptimin e arsyes, por edhe të profesionalizmit dhe të përgjegjësive tona ndaj çdo prej pritshmërie të qytetarëve që janë shprehur në këtë protestë. Për pjesën e mbarë, për pjesën e mirë, për pjesën, si të themi, të çiltër, për pjesën të drejtë të kësaj proteste. Për pjesën tjetër pastaj, të gjithë ne jemi të qartë që ujku mjegull do. Kështu që në shumë prej këtyre situatave ka dhe plot mjegull dhe ku ka mjegull natyrisht ka dhe përpjekje për ta shfrytëzuar mjegullën për qëllime të tjera.
“Shqiptarët të jenë të bindur se Shqipëria po qeveriste si asnjëherë më parë me një përpjekje dhe angazhim të jashtëzakonshme dhe që shqiptarët të jenë të sigurt se Shqipëria nuk do të ngelet ndonjëherë në mes të katër rrugëve”, tha Gonxhja.