TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ish zv.komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ka analizuar zhvillimet e fundit të konfliktit në Lindjen e Mesme, duke argumentuar se lufta ka dalë tashmë jashtë objektivave fillestare të SHBA-ve.
Sipas tij, ajo që nisi si një operacion me qëllime të kufizuara dhe të arritshme, është shndërruar në një përplasje të pakontrolluar, ku Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara veprojnë pa një komandë të unifikuar. Meçollari thekson se goditja e infrastrukturës energjetike iraniane nga Izraeli, ndryshoi rrjedhën e konfliktit dhe solli bllokimin e Ngushticës së Hormuzit.
"Lufta kur nisi, nisi me objektiva afat-shkurtra, disa të arritshme. Ishte e kufizuar nga pikëpamja e objektivave.
Nga dita nëntë ose dhjetë doli nga kontrolli nga pikëpamja e objektivave. Derisa Izraeli goditi fushat e gazit, lufta ishte me objektiva të arritshëm, asgjësimi i armatimit bërthamor, sistemit raketor, dhe heqja e mundësisë për çështjen e organizatave proxy. Pra ulja e peshës ose ndikimit të Iranit në sigurinë rajonale të vendeve arabe, demilitarizmi i Iranit.
Është operacioni i parë që nuk është nën kontrollin amerikan. Lufta e parë që ka zhvilluar SHBA. Është e ndarë në dy, izraelitët kanë kontrollin e tyre dhe amerikanët të tyre.
Pjesa veriore, është Izraeli dhe në jug Amerika. Ato nuk kanë komandë të unifikuar. Çfarë ka ndodhur? Izraeli ka dalë jashtë kontrollit të drejtimit operacional amerikan duke targetuar objektiva jashtë qëllimeve dhe objektivave të luftës.
Këtu ndodhi goditja, deri në këtë moment trafik në ngushticë, nuk kishte. Vinte për shkak të agjencive të siguracionit. Goditja e fushave të naftës, bëri që Irani të marrë kontrollin e ngushticës. Ajo është qendra e gravitetit të Iranit. Për Amerikën është dobësia kritike e saj.
Amerika e ka humbur objektivin e luftës, nuk vepron, vetëm reagon. Çfarë po kërkon sot Amerika? Nuk mund të ketë armëpushim duke patur bllokadë. Iranianët e prishën armëpushimin, goditën anijet tregtare.
Si do të zgjidhet? Amerika duhet të gjejë një rrugëdalje. Çështja e luftës ka të bëjë me kapacitetet strategjike që ka humbur SHBA, edhe me lëvizjen e kapacitetit ushtarak.
Shefi i Pentagon është ish ushtarak që ka komanduar deri në 100 ushtarë. Nuk ka qenë komandant. Shefi i shtabit të përgjitshëm, duhet të ishte gjeneral me katër yje dhe komandant i një komande madhore, por nuk i ka këto. Të dy kanë mungesë kapacitetesh strategjike.
Presidenti Trump është i zgjedhur dhe nuk ke çfarë i bën. Prandaj ai merr staf. Kur ishte rradhën e parë president, kishte ministër lufte, James Mattis, gjeneral me 4 yje. Amerikanët thoshin flemë të qetë.
Në gjykimin tim, Amerika do të gjejë një mënyrë për të dalë nga lufta dhe ky mund të jetë bombardim masiv dhe largim", deklaroi Meçollari.