AKTUALITET, 22 Janar 2025, 16:33

Goditën me sende të forta një person në Shkodër, vetëdorëzohen në polici dy autorët

Goditën me sende të forta një person në Shkodër,

Dy persona, të cilët goditën fizikisht dhe me sende të forta një person, janë vetëdorëzuar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.

Ngjarja ndodhi më 3 qershor të vitit 2024, gjatë një konflikti të ndodhur për vendparkimin e automjeteve, në rrugën “Pogej”.

NJOFTIMI I POLICISE

Policia në Shkodër njofton se dy persona, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e “arrestit me burg” janë vetëdorëzuar. Mësohet se të vetëdorëzuarit ishin konfliktuar më 2024 me një person në qytet për vendin e parkimit.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit S. T., 25 vjeç dhe I. S., 24 vjeç, caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Kanosja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë përfshirë në konfliktin e ndodhur për vendparkimin e automjeteve, më datë 03.06.2024, në rrugën “Pogej”, gjatë të cilit u godit fizikisht dhe me sende të forta, shtetasi V. B.

Shtetasit S. T. dhe I. S. janë vetëdorëzuar mesditën e sotme, në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.