AKTUALITET, 12 Shkurt 2025, 21:53

Gjyqtari nuk lëkundet nga presioni, Veliaj mbetet në burg. Ndryshon masa për Ajola Xoxën

Gjyqtari nuk lëkundet nga presioni, Veliaj mbetet në burg. Ndryshon

Nuk ndryshon masa e sigurisë për Erion Veliajn, ai do të vijojë të qëndrojë në qeli, me kërkesë të SPAK, për shkak të dyshimeve për korrupsion pasiv të kryer nëntë herë dhe pastrim parash. 

Ndërkohë ka ndryshuar masa ndaj bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, nga "arrest në shtëpi" në "detyrim paraqitje". Asaj i është ndaluar dalja jashtë vendit. 

Masat e tjera të sigurisë për biznesmenët nuk kanë ndryshuar. 

Konkretisht, biznesmeni Elman Abule do të qëndrojë në arrest me burg, ndërsa biznesmenët Gentjan Sula, Meriman Palushi, Fatmir Bektashi dhe Shkëlqim Fusha do të vijojnë me masën "detyrim paraqitje". 

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme pati një protestë në dyert e gjykatës së posaçme, të punonjësve të bashkisë dhe ndërmarrjeve mbështetëse si edhe mbështetësve të Veliajt, ndërkohë që kryeministri Rama u tregua i ashpër me prokurorin dhe gjyqtarin, duke shkaktuar reagimet e KLP, KLGJ dhe delegacionit të BE-së, për ndalimin e presionit ndaj drejtësisë. 

Rama deklaroi se mazhoranca nuk e sulmon drejtësinë por do të kërkojë zbatimin e standardeve europiane. 

Më herët, Veliaj sulmoi ashpër prokurorin e çështjes, Ols Dado, duke e cilësuar atë "lunatik dhe pervers". 

Reagimi i delegacionit të BE: 

"Po ndjekim nga afër zhvillimet e fundit në lidhje me hetimin ndaj Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, BE-ja nuk komenton mbi procedurat gjyqësore në vazhdim.

Reforma në sektorin e drejtësisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës në Shqipëri janë elementë kyç në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

BE-ja mbetet e përkushtuar maksimalisht për të mbështetur përpjekjet e Shqipërisë në ndjekjen e këtyre reformave dhe për ta ndihmuar vendin të konsolidojë efikasitetin, pavarësinë, llogaridhënien dhe profesionalizmin e institucioneve të saj, si dhe përputhshmërinë e tyre me standardet e BE-së, si në sektorin e zbatimit të ligjit ashtu edhe në atë të drejtësisë.

Roli specifik i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe pavarësia e saj në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve komplekse të korrupsionit, pa asnjë përpjekje për ndërhyrje politike apo presion të padrejtë, janë me rëndësi thelbësore për konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri".