AKTUALITET, 12 Shkurt 2026, 23:13

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, Zogaj: Ka ndodhur një gjë e tmerrshme, ka devijuar akuza e Gjykatës Speciale

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së, Zogaj: Ka ndodhur

Analisti Preç Zogaj, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV deklaroi se ngritja e Gjykatës Speciale ka qenë e pashmangshme dhe ajo nuk  u ngrit për të gjykuar UÇK-në, por për vrasjet e civilëve dhe sipas tij ky devijim i gjykatës është i tmerrshëm.

“Mendoj se ngritja e gjykatës ka qenë e pashmangshme, nuk jam dakord të përdoret ky rast, me formën që ka marrë, për të delegjitimuar faktorin ndërkombëtar.

Është ngritur kjo gjykatë, jo për të gjykuar UÇK, ky është spekulim, nuk është shtruar kështu, do të ishte skandal. Asnjë faktor ndërkombëtar nuk e ka shtruar kështu. Ka armiq plot kauza e Kosovës, Rusinë dhe Serbinë, por të kishte skemë të faktorit ndërkombëtar, që ka protagonizëm në çlirimin e Kosovës, kur themi liria ka emër, emri i lirisë është NATO.

Gjykata u ngrit në mënyrë të pashmangshme. Shtysa për ngritjen e saj kanë qenë vrasjet e civilëve. Ajo akuza që përmendet për Shtëpinë e Verdhë dhe trafikun e organeve, kishte rënë ndërkohë. Kur është hapur procesi, është përjashtuar si çështje. Këta, edhe përfaqësuesit e Kosovës, nuk kanë mundur t’i kundërvihen, ngulmimit për transparencë të disa familjeve të disa njerëzve që janë vrarë.

Ka qarkulluar një opinion që vetë Kosova nuk e bën dot këtë gjykatë pasi dëshmitarët janë të trembur. Ka patur edhe informacion se dëshmitarë të ndryshëm janë zhdukur.

Por këtu ka ndodhur një gjë e tmerrshme, ka devijuar akuza. Në vend të përqendrohet te këta të vrarët, që është e drejta e familjeve të dinë të vërtetën, e drejta e të vrarëve të shpaguhen për vrasjet…

Disa nga drejtuesit e UÇK, e kanë zvogëluar rolin e tyre, por disa edhe aq mund të ketë patur, pasi këtu ka patur edhe hiperbolizim. Kush ka qenë largpamës nuk duhet ta kishte bërë këtë. Mendoj se librat kontrastojnë me të vërtetat që kanë pohuar në gjykatë.

Megjithatë, e konsideroj një provokim të pashembullt, masën e dënimit që ka kërkuar prokuroria. Ne duhet të presim, 

Gjykata nuk mund të gjykojë politikisht, nëse nuk gjen aty krime që janë kryer nga këta njerëz”- tha Zogaj.