AKTUALITET, 8 Korrik 2022, 12:03

GJKKO rikthen dosjen e gjyqtarëve në SPAK: Thelloni hetimet për 7 gjyqtarët e akuzuar për evazion

GJKKO rikthen dosjen e gjyqtarëve në SPAK: Thelloni hetimet për 7

Disa ditë pasi Prokuroria e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar kërkoi që të pushohej çështja për 7 ish-gjyqtarët, të cilët janë kallëzuar për fshehje pasurie dhe evazion fiskal, GJKKO ka kthyer çështjen për hetim.

GJKKO dhe gjyqtari Erion Bani i kërkojnë SPAK që të kryejë hetime më të thelluara për dyshimet për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë. Kujtojmë se prillin e vitit 2020 avokati Fran Dashi kallëzoi 20 ishgjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga vettingu, duke i akuzuar për mashtrim, fshehje pasurie, fshehje të të ardhurave, mospagim të taksave, shpërdorim detyre, refuzim për deklarim dhe mosdeklarim pasurie.

Menjëherë SPAK nisi hetimet për 10 nga 20 emrat e kallëzuar, ish-anëtarë të gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, ndërsa për 10 të tjerët Prokuroria e Posaçme deklaroi se nuk ishin kompetencë e saj dhe se u janë dërguar Prokurorive Durrës, Tiranë dhe Elbasan. SPAK regjistroi procedimin penal për 9 ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, konkretisht për Bashkim Dedja, Tom Ndreca, Shkëlzen Selimi, Gani Dizdari, Artan Zeneli, Edmond Islamaj, Guxim Zenelaj, Besnik Imeraj dhe Aleksandër Muskaj. Ish-gjyqtarët e dorëhequr dhe shkarkuar nga vetingu u kallëzuan penalisht nga avokati Fran Dashi për evazion fiskal e fshehje pasurie.

SEKUESTRIMI I PASURIVE TË GJYQTARËVE

Para rreth një viti, Gjykata e Posaçme vendosi sekuestrimin e pasurive të tre ishgjyqtarëve të lartë: ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo dhe ish-anëtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi. Vendimi erdhi pas kërkesës së SPAK, bazuar në hetimet për fshehje pasurie ndaj tre ish-anëtarëve të kësaj Gjykate. Në një njoftim zyrtar të bërë publik ata bënë me dije se:

“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në datën 7.5.2020 regjistroi procedimin penal nr.137 për veprën penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim” të parashikuar nga neni 257/ a/2 të Kodit Penal. Duke qenë se shtetasit Fatos Lulo (ish– gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese), Bashkim Dedja (ish– kryetar në Gjykatën Kushtetuese) dhe Shkëlzen Selimi (ish–gjyqtar në Gjykatën e Lartë), janë hetuar, për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 257a/a/2 të Kodit Penal, dhe për këtë arsye në bazë të nenit 3/1, germa (d), të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, ata janë dhe subjekte të këtij ligji. Nga hetimi penal i kryer, rezultuan të dhëna që këto subjekte kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme apo pasuri që i kanë fshehur. Për këtë arsye, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesat përkatëse për sekuestrimin e pasurive në zotërim/pronësi të këtyre tre subjekteve”.

7 ISH-GJYQTARËT NË HETIM:

1.Xhezair Zaganjori, ish-kreu i Gjykatës së Lartë;

2.Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë;

3.Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese;

4.Edmond Islamaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë;

5.Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë;

6.Besnik Imeraj, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese;

7.Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë.