TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Menjëherë pas mbarimit të seancës paraprake në Gjykatën e Posaçme, ku trupa gjykuese vendosi të kalojë në proces themeli dosjen Meta-Kryemadhi, ka reaguar edhe avokati mbrojtës i ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë.
Ai tha se kishte rezerva për Gjykatën, pasi “ishin tallur me avokatët”, dhe shtoi se gjatë të gjithë seancës nuk u paraqit asnjë provë, madje u ngrit akuza për korrupsion pasiv pa pasur një fakt dhe pa pyetur personin e akuzuar për korrupsion aktiv, që nuk është thirrur asnjëherë.
Madje Cakrani deklaroi se gjatë seancës kishte këmbëngulur që një nga kërkesat të ishte thirrja e kryeministrit Edi Rama, që të pyetej për ligjin e minierave.
“Kam rezervat e mia përsa i përket Gjykatës. Janë tallur me avokatët. Kemi kërkuar deri edhe dëshminë e kryeministrit Edi Rama për ligjin e minierave dhe dëshmi nga Amerika të personave të ndryshëm. Gjykata e konstatoi, por nuk u lejua. Gjykata u tall me avokatët. Gjykata nuk u ngrit dot në lartësinë e duhur”, u shpreh ai.
Më tej theksoi se dosja nuk ka prova por vetëm perceptime nga ana e prokurorëve, kurse 3 nga të bashkëpandehurit kishin kërkuar gjykim të shkurtuar.
“Zonja Kryemadhi dhe zoti Meta kanë dorëzuar edhe pasqyrat financiare, nuk ka asnjë shkelje. Gjykim të shkurtuar kërkuan 3 nga të bashkëpandehurit. Keni dëgjuar ju që ka korrupsion pasiv, por nuk ka aktiv. Nuk ka pasqyrë se sa është dëmi dhe kujt i është bërë ai dëm”, vijoi Cakrani.
Avokati bëri edhe ironi, duke shpjeguar me batuta se korrupsioni do dy vetë që të bëhet, sikurse edhe marrëdhëniet intime.
“Ia thashë edhe prokurorit (SPAK), edhe korrupsioni edhe seksi bëhet me dy. Monika thotë se bëhet 3. Unë se di. (Bëhet edhe me 5- ndërhyn Kryemadhi)- Nuk i di ato stilet kamasutra (i përgjigjet Kryemadhit pas ndërhyrjes së saj), por kjo është absurde, nuk ka asnjë provë, ka emër e mbiemër konkret për një korrupsion, por aty nuk ka. Ju do të jeni të gjithë të pranishëm, do të bëjmë transparencë. Si kalon çështja në gjykim kur nuk janë pyetur personat që akuzohen për korrupsionin aktiv, në këtë rast zotit Shatku”, tha ai.
Në fund Cakrani shpjegoi edhe se si ishte gjendja emocionale e kreut të Pl, Ilir Meta, i cili qëndron i paraburgosur prej 21 tetorit 2024.
“Zoti Meta ishte i qetë, ai do procesin, sepse do të jetë në sallë, do edhe gazetarët aty. Ne do nxjerrim të gjitha provat. Ju do të jeni të gjithë të pranishëm, do të bëjmë transparencë. Do kënaqemi me procesin”, tha mbrojtësi ligjor i ish-presidentit.
Meta dhe Kryemadhi, akuzohen nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Në këtë proces të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Ema Çoku dhe Fatime Kryemadhi, mamaja e ish kryetares së LSI. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa dy të tjerat për pastrim parash.