AKTUALITET, 24 Prill 2024, 14:18

“Gërdeci”/ Përfundon seanca për ish-ministrin Mediu, SHBA sjell letër-porosi për 5 dëshmitarët amerikanë

“Gërdeci”/ Përfundon seanca për ish-ministrin Mediu,
Visha dhe Mediu

Përfundon seanca për ish-ministrin Fatmir Mediu, i cili po hetohet për shpërdorim detyre për çështjen ‘Gerdeci’. SHBA ka sjellë letër-porosi, sipas se cilës kërkohet pyetje e 5 shtetasve amerikanë.

Ish-ministri Mediu tha për mediat se kërkuan ekspertim për të përcaktuar shkakun e shpërthimit. “Kërkuam ekspertim për shkakun e shpërthimit në Gërdec, është interes i shqiptarëve të marrin vesh pse ka ndodhur ngjarja në Gërdec. Ekspertët amerikanë dhe prokuroria kanë thënë që shkaqet janë të pamjaftueshme.”, tha ai.

Mediu foli edhe në lidhje me letërporositë nga SHBA, duke thënë se parapëlqen marrjen me pyetje në një diskutim interaktiv. “Do të konsultohemi me avokatët për qëndrimin e SHBA. Ne kërkuam diskutim interaktiv jo të ecet me letërporosi”, tha ai.

Avokati Ardian Visha theksoi se dëshmitarët amerikanë do të ishte mirë që të vijnë në Shqipëri. Ai shtoi se akt ekspertimi i amerikanëve ka shumë të meta dhe paqartësi.

“Të gjithë ata që pretendohet të jenë dëshmitarë, e mira do të ishin mirë të ishin në Shqipëri. Ne kemi këmbëngulur që amerikanët të pyeten me video-konferencë. I gjithë procesi për ne duhet të ishte mbyllur në një seancë. E vërteta determinohet mbi të gjitha për atë që ndodhi në Gërdec.

Akt ekspertimi i amerikanëve ka shumë të meta. Akt ekspertiza thotë se mund të ketë ndodhur kjo, por edhe ajo, nuk është e qartë. Ne kërkojmë përballje me ekspertët, që dijet e tyre të jenë më të thelluara”, u shpreh avokati Visha.