AKTUALITET, 16 Mars 2026, 21:22

"Gërdeci"/ Matlija: Pretendimi i Mediut për gjyq politik nuk ka kuptim! Akuza, e mbështetur në dy ekspertiza të kopsitura

"Gërdeci"/ Matlija: Pretendimi i Mediut për gjyq politik nuk

Avokati Dorian Matlija, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, foli për tragjedinë e Gërdecit ku mbetën të vrarë 26 persona. 

Matlija shpjegoi se akuza e sotme ndaj Fatmir Mediut është "shpërdorim detyre" dhe ai është aktualisht në gjykim, por shtoi se SPAK mund të kryejë hetimet edhe për aspekte të tjera. 

"Procese ka patur shumë, por ka patur proces kryesor që u nda në dy pjesë, procesi për 30 të pandehur, një vijon të gjykohet sot. 29 të tjerë janë gjykuar dhe është përfunduar vendimi. Për aferën e Gërdecit ka shumë aspekte. 

Për humbjet e jetës, gjykata që mbaroi gjykimin tha që urdhri 20/44 i nënshkruar nga Mediu ka qenë ai që lidhet me zinxhirin shkak-pasojë që solli tragjedinë. Katër persona u dënuan në 2013, dhe pastaj një person, që i dha fuqinë juridike dhe e bëri të vlefshëm urdhrin, është personi që është në gjykim Fatmir Mediu. Akuza është shpërdorim detyre. Hetimi i bërë 2008-2009 nga Prokuroria e asaj kohe. 

Akuza fillestare ka qenë vrasja në rrethana të cilësuara, ajo që ka shkuar prokuroria për të kërkuar heqjen e imunitetin e zotit Mediu. A ishin në kushte neglizhence, me dashje, pa dashje, dashje indirekte. Prokuroria kishte idenë se ka prova që jo vetëm ndodhi aksident, por kishin mundësi ta parashikonin çfarë do të ndodhte. Mori një tjetër lloj vepre penale në atë kohë. Por më pas u zbut në shpërdorim detyre.

Sot SPAK, që mori çështjen, është detyruar të fillojë diskutimin ku mbeti në 2009, te shpërdorimi i detyrës. Nuk është e thënë që të mos ndryshojë, por kjo varet nga gjykata. Jemi ende në fazën që po merren provat dhe i pandehuri nuk ka mbaruar me komentet e tij për provat. Kjo fazë ka marrë shumë kohë, tre vjet. Janë marrë ekspertiza të komplikuara. Vepra të tjera, mund të ketë korrupsion, pastrim i produkteve të veprës penale, e me rradhë.

Drejtësia e re ka detyrën që dosjen e vjetër të bërë gati në 2009, ta marrë këtë dosje dhe të shkojë përpara. Sa  i përket elementëve të tjerë që mund të zbulohen rrugës, janë duke u hetuar.

Akuza ndaj Mediut nuk është bërë sot, por 2008-2009 kur këta kanë qenë në pushtet. Gjyq politik këtu nuk ka kuptim, pasi ka akuzë të mbështetur në mbi 26 mijë faqe dokumentacion, dëshmitarë dhe dy ekspertiza të kopsitura.

Nuk mund të jetë gjyq politik, kur akuza është që është shmangur me vetëdije forcat e armatosura nga mbikqyrja e rreptë, ke dhënë dritë jeshile për demontim pranë një fshati dhe pranë një rruge automobilistike. Është treguar vazhdimisht injorim të disa sinjaleve të rrezikut", tha ndër të tjera Matlija.