AKTUALITET, 15 Janar 2025, 22:51

FOTO/ PD çon në Kuvend formularin: Deputetët të deklarojnë nëse kanë përdorur “Sky” dhe “Encrochat”

FOTO/ PD çon në Kuvend formularin: Deputetët të

Partia Demokratike ka çuar propozimin në Kuvend ku kërkohet që deputetët të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit nëse kanë përdorur apo jo aplikacionet 'SkyEcc' dhe 'EncroCha't. Shkresa mban firmën e kryetarit të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

Në letrën drejtuar kryeparlamentares Elisa Spiropali, Bardhi, referuar burimeve mediatike, thotë se në aktet e dërguara nga autoritetet franceze, belge dhe hollandeze të drejtësisë, rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme. Propozimi pritet të shyqrtohet më 17 janar, ora 10:00, në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin.

SHKRESA

Nga burime të ndryshme mediatike janë hedhur dyshime serioze se në aktet e dërguara nga autoritetet franceze, belge dhe hollandeze të drejtësisë, rezultojnë komunikime edhe të deputetëve të tjerë me eksponentë të krimit të organizuar, për kryerjen e aktiviteteve të paligjshme. Këto dyshime ngrejnë pikëpyetje mbi integritetin, etikën dhe besueshmërinë jo vetëm të deputetëve, por edhe të vetë institucionit të Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka për funksion themelor të sigurojë përfaqësimin dinjitoz të qytetarëve dhe një proces ligjbërës të udhëhequr nga interesi publik.

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, si përfaqësues të qytetarëve, duhet të mishërojnë standardet më të larta të integritetit profesional dhe moral, etikës dhe ligjshmërisë. Ekzistenca e komunikimeve në aplikacionet e enkriptuara, që dihet botërisht se përdoreshin nga grupet kriminale, me qëllim ushtrimin e aktiviteteve të paligjshme, dëmton rëndë reputacionin dhe kredibilitetin e deputetëve dhe Kuvendit të Shqipërisë.

Prandaj, nisur edhe nga modeli i përdorur për punonjësit e Policisë së Shtetit, të miratuar me urdhërin nr. 196, datë 04.12.2023 të Ministrit të Brendshëm, me qëllim ruajtjen e standardeve më të larta etike dhe të integritetit, është propozuar detyrimi i çdo deputeti të Kuvendit të Shqipërisë, për të plotësuar formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”.

Neni 62/2, i propozuar për t’u shtuar në Rregulloren e Kuvendit, parashikon, krahas detyrimit për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, modelin e vetëdeklarimit, afatin e dorëzimit të këtij formulari, strukturën administruese, pasojat e plotësimit me të dhëna të rreme, publikimin në faqen zyrtare të Kuvendit, në përputhje me parimin e transparencës, dhe përcjelljen për dijeni Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Si shprehje e vullnetit të plotë për miratimin e kësaj dispozite, deputeti propozues i këtij projektvendimi, do të dorëzojë bashkëlidhur edhe formularin e vetëdeklarimit “Mbi përdorimin e aplikacioneve SKY ECC dhe ENCROCHAT”, të plotësuar.

FOTO/ PD çon në Kuvend formularin: Deputetët të