AKTUALITET, 17 Mars 2026, 19:41

Fondet evropiane për Bujqësinë, Komisioni Europian: Nuk ka afat për nisjen e IPARD III

Fondet evropiane për Bujqësinë, Komisioni Europian: Nuk ka afat

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se është në proces akreditimi të procedurave të reja dhe po pret përmbylljen e marrëveshjes së financimit me Komisionin Europian për programin IPARD III.

Megjithatë, në një reagim për Report TV, Komisioni Europian nuk ka dhënë një afat për hapjen e fondeve, duke mohuar pretendimet që flisnin për muajin shtator si periudhën e mundshme për nisjen e programit. Komisioni thekson se autoritetet shqiptare ende nuk kanë kërkuar që t’u besohet menaxhimi i fondeve të IPARD III, në përputhje me marrëveshjet dypalëshe dhe procedurat përkatëse. Pa këtë kërkesë, nuk mund të përcaktohet një datë për autorizimin dhe çeljen e fondeve.

“Është në zhvillim një procedurë dypalëshe midis Komisionit Evropian dhe autoriteteve shqiptare për të siguruar që masat e duhura korrigjuese të vendosen sa më shpejt të jetë e mundur. Meqenëse Komisioni nuk ka marrë ende kërkesën, nuk mund të thuhet kur mund të jepet autorizimi për IPARD III”, thuhet në reagim.

Komisioni Europian i ka kërkuar autoriteteve shqiptare që të trajtojnë me seriozitet çështjen, duke theksuar se bëhet fjalë për paratë e taksapaguesve të BE-së. Fondet e IPARD u bllokuan rreth 3 vite më parë për shkak të dyshimeve për abuzime nga zyrtarë shqiptarë. Programi i ri, IPARD III, përfshin 9 masa dhe vlera e parashikuar është 112 milionë euro, duke mbështetur fusha si infrastruktura rurale, ndërtim tregjesh, agro-përpunim, agro-turizëm, pylltari, asistencë teknike dhe këshillim për fermerët.