TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Dhjetëra qytetarë janë mbledhur ditën e sotme pranë Kadastrës Fier, për të protestuar për procedurat zvarritëse shumëvjeçare, për tu pajisur me certifikatë pronësie. Ata pohojnë njëzëri të indinjuar se është e papranueshme që të aplikojnë , të paguajnë taksa e të sorollaten nga një institucion në tjetrin pa asnjë rezultat.
“Kam 20 vjet që kam aplikuar për legalizimin e shtëpisë dhe po pres të marr certifikatën e pronësisë. Kam bërë dy takime me drejtorin; na ka pritur, ka thirrur nënpunësit dhe ka thënë që dosja të vazhdojë sepse është në rregull. Tani këta nënpunësit na nxjerrin probleme të tjera. Na kërkojnë një shkresë dore, vetëm për të na sorollatur.
Zvarritje është patjetër. Ja ku është vetëdeklarimi origjinal i vitit 2004. Jemi përmbytur dhe janë fshirë pak vulat origjinale, dhe tani këta na ngrenë një problem tjetër. Ai më thotë se si ky dokument mund ta nxjerr sa herë të dua, por si mund ta nxjerr unë një dokument të tillë sa herë të dua, kur kjo është origjinalja e vitit 2005. Çdo procedurë dhe çdo tarifë e kam paguar në bankë dhe pres të marr certifikatën sipas ligjit të shtetit shqiptar.
Për një copë letër kam ardhur këtu. Është gjynah që në vitin 2012 kam bërë aplikimin për tokën bujqësore në Libofshë. Pale për shtëpinë që nuk e kemi bërë fare. Nuk e di pse nuk del. Nëse kanë vënë kalamaj aty që pinë kafe dhe hanë byrek, le të vënë zanatçinj e ta zgjidhin.
Unë jam më i vjetri i lagjes, që nga ’33-shi. Kam sjellë dokumentet e shtëpisë. Vij këtu dhe ngre duart përpjetë. Kanë bërë 7 herë matje. “Do të vijmë,” thonë. Unë kërkoj vetëm të zbatohet ligji. Kanë ardhur nga ana e anës të tjerët dhe janë bërë me dokumente. Unë, më i vjetri i lagjes, jo”, thonë qytetarët.
U bënë 30 vjet që pres thotë një prej protestuesve, qytetar fierak që në 33- in. Janë pajisur me certifikatë pronësie të ardhurit e unë ende jo.
“30 vjet këtu. Kam bërë 18 dynymë me certifikatë pronësie dhe pjesa tjetër është keq me kufizimet, nuk ka hartë.”
Sa herë plotësojmë dokumentacionin konform ligjit, çdo herë na nxjerrin pretendime të tjera, thonë qytetarët, duke e konsideruar këtë një zvarritje dhe sorollatje burokratike.”
E teksa presin para dyerve të hipotekës për orë të tëra e vite me radhë ata i bëjnë apel kryeministrit Rama, t’i japë rrugëzgjidhje të shpejtë kësaj situate.