AKTUALITET, 12 Qershor 2026, 09:36

'Falenderoj Trump dhe Rubion'/ Heqja e non gratës nga SHBA?! Berisha: U korrigjua vendimi i padrejtë ndaj meje dhe familjes sime

'Falenderoj Trump dhe Rubion'/ Heqja e non gratës nga SHBA?!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar heqjen e statusit “non grata” nga SHBA, duke e cilësuar këtë vendim si një korrigjim të një padrejtësie ndaj tij dhe familjes së tij.

“Që nga dita e djeshme, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shkruan Berisha në një postim të publikuar në rrjetet sociale.

Sakaq kreu i selisë blu falënderon administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për vendimin.

Reagimi i Berishës:

Të dashur miq,
Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime.

Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.

Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.

Mirënjohje të veçantë dua t’u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike.

Duke përfunduar, ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet tona për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë!