TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Euro ka vijuar tendencën rënëse në tregun e brendshëm valutor, duke e mbyllur javën në nivelin më të ulët historik prej 95.24 lekësh. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane ka humbur vazhdimisht terren gjatë këtij viti, ndërsa rënia është përshpejtuar në prag të sezonit veror.
Grafiku i ecurisë së kursit tregon se, që nga fillimi i vitit, euro është zhvlerësuar me më shumë se 1.3 lekë, duke zbritur nga nivelet pranë 96.6 lekëve në fillim të janarit në vetëm 95.24 lekë në javën që sapo u mbyll. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, euro rezulton e zhvlerësuar me rreth 3%.
Kjo rënie vjen në një moment kur Shqipëria po hyn në sezonin turistik, periudhë që tradicionalisht shoqërohet me flukse të konsiderueshme të valutës së huaj në ekonomi. Numri i lartë i turistëve, së bashku me remitancat dhe Investimet e Huaja Direkte, pritet të shtojnë ofertën e euros në treg, duke ushtruar presion të mëtejshëm mbi kursin e këmbimit. Në këto kushte, nuk përjashtohet mundësia që euro të testojë nivele edhe më të ulëta se rekordi aktual.
Banka e Shqipërisë po ndërhyn rregullisht në tregun valutor edhe gjatë këtij viti për të frenuar ritmin e zhvlerësimit të euros. Të dhënat për ndërhyrjet në tregun valutor gjatë vitit 2026 ende nuk janë bërë publike, por, duke u bazuar në shifrat e dy viteve të fundit, mund të mendohet se banka qendrore po vazhdon të tërheqë sasi të konsiderueshme valute nga tregu. Gjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë ka blerë rreth 1 miliard euro në secilin vit, në përpjekje për të parandaluar rënien e mëtejshme të monedhës europiane.
Zhvlerësimi i euros vazhdon të krijojë sfida për eksportuesit dhe sektorët e tjerë që operojnë në këtë monedhë, pasi të ardhurat e tyre, të konvertuara në lekë, reduktohen. Me sezonin turistik që sapo po nis dhe me pritshmëritë për një numër rekord vizitorësh gjatë verës, tregu valutor mbetet nën vëzhgim, ndërsa shumë operatorë presin që euro të vazhdojë trajektoren zbritëse edhe në javët dhe muajt në vijim.