TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Festat e fundvitit sjellin shumë gëzim në familjet shqiptare, por ulin vëmendjen ndaj rrezikut që na kanoset nga sulmet kibernetike.
Një gjë e tillë ka rezultuar në shifrat e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Gjatë vitit 2024, ekspertët kanë identifikuar 8.506 rrjedhje të dhënash.
“Ne e dimë që siguria kibernetike është si siguria fizike e shtëpisë tuaj. Një klikim i gabuar në një link të dyshimtë padyshim që mund të çojë në humbje të mbrojtjes, të cilën ju keni menduar që e keni. Statistikat kanë treguar se viti 2024 ka shifra alarmante dhe për të thënë këtë kemi një rritje të numrit të sulmeve “fishing” dhe një numër të lartë qytetarësh që janë bërë viktima të mashtrimeve financiare online”, Esmeralda Kazia, Drejtor SOC – AKSK.
Drejtoresha e monitorimit të incidenteve kibernetike ju bën apel qytetarëve të shtojnë kujdesin gjatë kësaj periudhe.
“Mos hapni mesazhe të dyshimta, jemi në periudhë festash dhe periudhat e festave janë një periudhë e artë për mashtruesit online. Në rast se ju merrni mesazhe, e-maile apo oferta që mund të duken shumë më të mira për të qenë të vërteta mos klikoni në to. Kontrolloni burimin nga kanë ardhur dhe padiskutim mos veproni. Siguroni pasjet tuaja. Gjatë blerjeve online sigurohuni që blerjet të bëhen në platforma të besueshme sepse një analizë e fundit ka treguar se mbi 15% e mashtrimeve financiare online kanë ndodhur nga këto mashtrime financiare të ndodhura online. Çdo informacion që ju ndani mund të kthehet në armikun tuaj dhe mund të kthehet kundra jush.”
Informacionet e ekspozuara përfshijnë emra, adresa, numra telefoni dhe të dhëna të tjera të ndjeshme, të cilat mund të keqpërdoren për vjedhje identiteti ose aktivitete keqdashëse. Qytetarët duhet të tregohen vigjilent për të ruajtur privatësinë dhe sigurinë e tyre në hapësirën digjitale.