AKTUALITET, 25 Prill 2024, 21:30

Sulmet e Metës ndaj Dumanit/ Tela: Meta sikur është në dijeni se çfarë po ndodh në SPAK. Sejamini: Shpërthimet e tij nuk ndikojnë te SPAK-u

Sulmet e Metës ndaj Dumanit/ Tela: Meta sikur është në

Gazetari Andi Tela, duke komentuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, akuzat e ish-presidentit dhe kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreut të SPAK-ut, Altin Dumani, deklaroi se duket sikur Ilir Meta është në dijeni se cfarë po ndodh në SPAK. Tela tha ky është vërtet moment i vështirë politik për Metën, por në 2011 ka qenë në një moment edhe më të vështirë dhe ishte pranë burgut. Ndërsa analisti Neritan Sejamini tha se shpërthimet me akuza të Metës nuk ndikojnë te puna e SPAK-ut.

“Duket se sikur Ilir Meta është në dijeni se cfarë po ndodh në SPAK. Vërtet Ilir Meta ka një histori që e lidh me CEZ- DIA, por varet çfarë do të kërkojë SPAK. Ilir Meta nuk merret dot nën akuzë për shpërdorim detyre, sepse kjo çështje është e parashkruar. Ai ose merret për korrupsion, ose për pastrim parash. 

Partia e Lirisë ka patur dy klane, o njerëzit e Kryemadhit, o të Ilir Metës. Në momentin kur ata të jenë përballë SPAK kjo parti shkrihet.

Se çfarë ndodh te partia e Metës ka humbur interesi publik. Ai po përpiqet të themelojë partinë, por është vite dritë larg partisë LSI që themeloi në vitin 2004.

Ky është vërtet moment i vështirë politik për Metën, por në 2011 ka qenë në një moment edhe më të vështirë dhe ishte pranë burgut”-tha Tela.

Ndërsa analisti Neritan Sejamini tha se ofendimet personale ndaj Dumanit e përkeqësojnë gjendjen e tij dhe kjo nuk e tremb dhe nuk ndikon te puna e SPAK-ut.

“Shpërthimet e zotit Meta me ofendime personale ndaj Dumanit nuk e di se ku do ta çojnë dhe ato e përkeqësojnë gjendjen e tij. Kjo nuk e tremb dhe nuk ndikon te SPAK. Ndikimi që kanë këto sulme ndaj SPAK janë negative.

Politikanët janë mësuar të shahen dhe të ofendohen në politikë, por kjo nuk ndodh ndaj drejtësisë.

Z. Dumani dhe SPAK po hetojnë z. Meta dhe, nëse ai i sulmon për këtë, ky është sulm personal dhe po sulmohet se po bën punën për të cilën paguhet”-tha Sejamini.