AKTUALITET, 16 Shkurt 2023, 22:15

Enton Abilekaj: Bandat shqiptare në botë nuk e kanë më bazë dhe nuk kanë më nevojë për Shqipërinë!

Enton Abilekaj: Bandat shqiptare në botë nuk e kanë më
Enton Abilekaj

Analisti Enton Abilekaj tha në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” se Shqipëria e ka humbur rëndësinë e saj për krimin e organizuar me origjinë shqiptare. Ai tha se ky krim është i vështirë të luftohet, sepse vepron nga jashtë.

“Ajo pjesë e pastrimit të parave që bëhet në Shqipëri nuk është më domosdoshmëri për këto para që qarkullon krimi. Ajo që bëjnë ata në Shqipëri është vetëm një hobi, një ndihmë për familjarët e tyre, ose për të pasur diçka në atdhe.

Këto tani janë organizata ndërkombëtare me origjinë shqiptare dhe nuk e kanë më bazë Shqipërinë, se tashmë ajo është një stërkalë e kësaj dallge të madhe. Për ekonominë shqiptare kjo është shumë, sepse flasim për qindra milionë euro.

Ne jemi në këtë fazën kur ata nuk kanë më nevojë për Shqipërinë, e kemi shumë të vështirë ta luftojmë këtë sepse nuk e kanë më bazë Shqipërinë, por e kryejnë nga jashtë.

Ne kishim fabrika, laboratorë, në të cilat lënda narkotike vinte në formë të ngurtë e të lëngshme dhe pastaj shpërndahej nga Shqipëria në të gjithë Europën. Këto laboratorë janë përhapur aq shumë sa Shqipëria nuk është më e domosdoshme, është një nga portat, por nuk është e domosdoshme. Edhe ish-kryetari i komunës Frakull që tentoi ta bënte u kap, se nuk ka interes si më parë që të investohen shumë para”-tha Abilekaj.