AKTUALITET, 1 Dhjetor 2024, 16:23

Ekzekutohet me armë zjarri 50-vjeçari në Ndroq, krimi ndodhi afër një lokali

Ekzekutohet me armë zjarri 50-vjeçari në Ndroq, krimi ndodhi

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar pak më herët këtë të diel në periferi të  Tiranës, në fshatin Ndroq.
Në rrethana ende të paqarta është vrarë Alfred Dedja. Autori është afruar në këmbë kur ka kryer krimin dhe më pas është larguar me një makinë tip “Benz” të zi.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Alfred Dedja, 50 vjeç nga Burreli akuzohej vite më parë për vjedhje dhe trafik lëndësh narkotike. 

Në vitin 2014, Alfred Dedja është arrestuar pasi akuzohej për vjedhje. Ai u prangos në ambientet e spitalit “Nënë Tereza” në kryeqytet, pasi dyshohej se kishte thyer xhamat e disa automjeteve të parkuar, duke vjedhur dhe sendet personale dhe një shumë parash. Ai rezultoi të ishte autor i mbi 15 vjedhjeve të ndodhura dhe kishte marrë shuma të mëdha parash, sende personale, çanta, lap-top etj, materiale të cilat gjendeshin në brendësi të makinave të vjedhura. Mësohet se Dedja i kryente vjedhjet në makinat që u përkisnin të afërmve të pacientëve që ishin shtruar në spital.

Ndërsa në vitin 2017, është vënë në pranga për trafik të lëndëve nrkotike, kur në Mat u zhvillua operacioni “Minuta e fundit”, në kuadër të të cilit u sekuestruan 6 kg kanabis si dhe u vunë në pranga 3 shtetas: Alfred Dedja, Jurgen Alzeneli dhe një 18-vjeçar, të gjithë banues në qytetin e Burrelit.