AKTUALITET, 1 Qershor 2026, 17:36

Edhe Fredi Belerit i “qan” zemra për Zvërnecin, jep intervistë në mediat greke

Edhe Fredi Belerit i “qan” zemra për Zvërnecin, jep

Eurodeputeti Fredi Beleri ka rikthyer në vëmendje projektin turistik në Zvërnec, duke ngritur akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare.

Në një intervistë për televizionin grek Skai, ai pretendoi se autoritetet po e çojnë përpara projektin në mënyrë të njëanshme, pa marrë në konsideratë shqetësimet e banorëve dhe pa zgjidhur më parë çështjet e pronësisë. Sipas Belerit, proceset gjyqësore të iniciuara nga banorët vazhdojnë ende dhe nuk kanë marrë një vendim përfundimtar. 

Por pjesa më interesante e deklaratës lidhet me Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump. Ndërsa në Shqipëri emri i Kushnerit është përdorur prej muajsh si simboli i investimit gjigand që po afron në bregdetin e Vlorës, Beleri pretendon se qeveria shqiptare po e përdor atë si një lloj “gogoli” për të mbyllur gojën e kundërshtarëve të projektit.

Sipas eurodeputetit, kompanitë që shfaqen realisht pas investimit janë shqiptare, ndërsa emri i Kushnerit shërben më shumë si mburojë politike dhe mediatike sesa si përgjigje për pyetjet që po ngrihen nga banorët.

Duke komentuar incidentet e së shtunës, ku gjatë protestave u plagos edhe një shtetas grek, Beleri foli për “ngjarje të paprecedenta” dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk dëshiron transparencë për atë që po ndodh në Zvërnec.

Fredi Beleri është zgjedhur eurodeputet i Greqisë në Parlamentin Europian, por siç duket Brukseli i rri ngushtë ish-hidraulikut që reagon për çdo zhvillim në Shqipëri, megjithëse teorikisht ka marrë përsipër të përfaqësojë grekët në Bashkimin Europian.