AKTUALITET, 3 Qershor 2026, 17:12

E rëndë në Shëngjin, pesë të rinj u morën nga dallgët, dy viktima

E rëndë në Shëngjin, pesë të rinj u morën nga

Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në bregdetin e Shëngjinit, ku pesë shokë nga Kosova që kishin hyrë në det janë përballur me dallgët e forta.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se të rinjtë janë marrë nga rrymat dhe dallgët e detit, ndërsa dy prej tyre kanë humbur jetën. 

Njoftimi: 

Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.

Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.

Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.