AKTUALITET, 6 Maj 2024, 16:54

"E kam kërkuar prej kohësh një bashkëpunim zyrtar", Veliaj vazhdon të poshtërojë SPAK-un ku u pyet 7 orë

"E kam kërkuar prej kohësh një bashkëpunim

Erion Veliaj vazhdon të poshtërojë prokurorët e SPAK-ut, që e ka marrë në pyetje si person që ka dijeni për aferën e  inceneratorëve. Ai përsëriti sot se kishte shkuar vetë në institucionin e akuzës dhe ishte takuar me kolegët e tij.

““Deri tani ka qenë tabu që autoritetet, pushtetet e ndryshme, që edhe pse teorikisht kanë qenë të ndara, të bashkëpunonin, duke u parë gjithmonë si armiqësore. Gjithmonë e më shumë do të jetë normale që në një qyet ku ndodhin 1 mijë punë, 10 mijë projekte, do ketë gjithmonë nevojë që autoritetet të komunikojnë dhe të sqarojnë procedurat me njëri-tjetrin. E kam kërkuar prej kohësh, e kam thënë publikisht, për një bashkëpunim zyrtar me SPAK-un, për të dhënë çdo dokument, çdo informacion, të një pale që nuk ka asnjë kompleks, që është krenare për Tiranën e pastër dhe që ka shprehur gatishmëri totale për të bashkëpunuar. Kjo është sjellja normale….

Unë i quaj kolegë dhe ju të medias, pra njerëz që janë angazhuar në një vokacion publik sepse ka një mision të përbashkët. Kush i sheh si armiq nuk duan që disa institucione të funksionojnë”, tha Veliaj për Top Neës.

Të njëjtën tallje ligjëroi edhe 6 ditë më parë, kur, pasi u pyet për 7 orë të martën e shkuar, në dalje ai tha se kishte shkuar vetë dhe para orës së caktuar te “kolegët” e SPAK.-ut.

Por korrespondenca të cilën e kishte TPZ-ja tregoi se ai ishte lajmëruar ditë më parë që të shkonte, ndryshe do të merrej forcërisht.

Në fletëthirrjen e prokurorit Dritan Prençi, më 24 prill 2024 thuhej shprehimisht:

“Unë, Dritan Prençi, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar në zbatim të nenit 312 të Kodit të Procedurës Penale për marrjen e të dhënave në funksion të hetimit të procedimit penal numër 255 viti 2020.

Urdhëroj: Shtetasi Erion Luan Veliaj, i ditëlindjes 17.12.1979, me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë, të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datën 30 prill 2024, ditën e martë, në orën 10:00, tek hetuesi A. S., për marrjen e të dhënave për rrethana të dobishme në funksion të hetimit procedurial penal numër 255, viti 2020 (me vete të ketë dokument identifikimi).

Paraqitja e shtetasit të mësipërm kërkohet me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni lidhur me rrethanat e hetimit, lidhur me hetimet paraprake procedimi penal 255, viti 2020.

Në rast mosparaqitjeje, ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesa të ligjshme, paralajmërohemi se në bazë të nenit 312/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të urdhërohet shoqërimi juaj i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore.

Njoftimi i mësipërm të kryhet me anë të shërbimit postar në adresën e punës Bashkia Tiranë.

Prokurori i çështjes, Dritan Prençi”.

SPAK u pyet edhe nga TPZ dhe në përgjigje të pyetjes nëse ishte kërkuar prania e tij, apo kishte shkuar vetë me dëshirë, specialistja ndërlidhëse Suela Çollaku u përgjigj:

“Shtetasit Erjon Veliajt i është dërguar fletë-thirrje të mërkurën e javës së kaluar për t'u pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni mbi rrethanat e hetimit në interes të hetimit të procedimit penal nr. 255, të vitit 2020 (hetimet në lidhje me Iceneratorin e Tiranës)”.