AKTUALITET, 13 Prill 2024, 10:49

Dyshohet se tentoi të grabiste pikën e këmbimit valutor, si u vendos në pranga 30-vjeçari!

Dyshohet se tentoi të grabiste pikën e këmbimit valutor, si u

Policia ka arrestuar 30-vjeçarin me iniciale E. L., i cili dyshohet se tentoi të grabisë ditën e djeshme një pikë këmbimi valutor në qytetin e Durrës, nën kërcënimin e një pistolete lodër.

I riu dyshohet se mesditën e ditës së djeshme (12 prill) rreth orës 12:45, në lagjen nr. 1, ka hyrë në një dyqan këmbimi valutor dhe në kërcënimin e një pistolete lodër duke tentuar ta grabisë.

30-vjeçari hyri brenda ambienteve me armën lodër, i maskuar dhe me kapuç në kokë. Por punonjësit e dyqanit nuk i kanë hapur derën e sigurisë dhe i riu është larguar.

Në cilësinë e provës materiale, policia informon se u sekuestruan pistoleta lodër dhe veshjet që ka patur autori i dyshuar, gjatë ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Durrës/ Zbardhet brenda pak orësh, tentativa për vjedhje në një dyqan këmbimi valutor.

Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Sekuestrohet pistoleta lodër e përdorur prej tij, gjatë tentativës për vjedhje.

Mesditën e djeshme, menjëherë pas njoftimit se një shtetas kishte tentuar të vidhte në një dyqan këmbimi valutor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës organizuan punën me qëllim identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorit/ve të kësaj tentative vjedhjeje.

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me mbështetjen e informacioneve nga inteligjenca policore, u bë identifikimi, kapja dhe arrestimi i autorit të dyshuar të rastit, shtetasit:

E. L., 30 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas dyshohet se më datë 12.04.2024, rreth orës 12:45, në lagjen nr. 1, ka hyrë në një dyqan këmbimi valutor dhe në kërcënimin e një pistolete lodër, ka tentuar të vjedhë një shumë parash.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan pistoleta lodër dhe veshjet që ka patur autori i dyshuar, gjatë ngjarjes.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.