AKTUALITET, 11 Qershor 2026, 09:22

Dyshohet se Shakaj rrëmbeu mikun e tij Eglant Koçi, zbardhen të tjera detaje nga zhdukja e 34-vjeçarit. Policia, kontrolle për gjetjen e trupit

Dyshohet se Shakaj rrëmbeu mikun e tij Eglant Koçi, zbardhen të

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga zhdukja e 34-vjeçarit Eglant Koçi.

Policia po kryen kontrolle për gjetjen e trupit në disa zona. Pas kërkimeve në Krrabë, Elbasan dhe Librazhd, kërkimet janë fokusuar në zonën e Qafëmollës dhe në Pëllumbas, zona që dyshohet se janë të njohura dhe që frekuentoheshin shpesh nga autori i krimit, 41-vjeçari Armand Shakaj.

Burime policore bëjnë me dije se ka dyshime se pas ngjarjes makinat e tij të jetë parë në zonën e Pëllumbasit. Policia e Tiranës po kryen kontrolle të imtësishme për gjetjen e trupit dhe arrestimin e autorit.

Shakaj u pikas që në fillim të denoncimit nga familjarët e Eglant Koçit dhe është një ndër personat e parë që u mor në pyetje nga policia. Pas këqyrjes së tabulateve telefonike rezultoi se personi i fundit që kishte kryer telefonatë Koçi kishte qenë Shakaj. Për këtë arsye ai thirr dhe u mor në pyetje nga komisariati nr.2, ku ai deklaroi se nuk kishte dijeni se edhe vetë ishte i shqetësuar që Koçi kishte humbur gjurmët.

Mësohet se kur ka dalë nga komisariati pas marrjes në pyetje ai është ndeshur edhe me familjarë dhe të afërm të Eglant Koçit ku i ka thënë se ishte bërë merak edhe ai dhe se kur ta gjenin t'i thonin që ta merrte në telefon.

Policia e ka mbajtur në vëzhgim Shakaj edhe pas marrjes në pyetje por ai ka humbur gjurmët duke u larguar dhe fshehur. Pas hetimeve intensive dhe analizimit të shumë kamerave të sigurisë ditë më pas u vërtetua se Shakaj kishte rrëmbyer mikun e tij Eglant Koçin. Sipas sistemit TIMS rezulton që nuk ka dalë jashtë vendit dhe policia dyshon se ai fshihet brenda vendit.