AKTUALITET, 7 Maj 2024, 10:07

Dyshohet se do të trafikonte 53 kilogramë kanabis, drejt Maqedonisë së Veriut, prangoset 46-vjeçari

Dyshohet se do të trafikonte 53 kilogramë kanabis, drejt

Një 46-vjeçar nga Korça është arrestuar në pikën kufitare të Qafë Thanës pasi dyshohet se do trafikonte me makinë 53 kilogramë kanabis, drejt Maqedonisë së Veriut.

Arrestimi i tij u bë në kuadër të operacionit policor "Restart 17", ndërsa lënda narkotike e ndarë në pako është sekuestruar nga policia së bashku me dy celularë dhe automjetin.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni antidrogë i koduar "Restart 17", për goditjen e një tjetër rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Vihet në pranga 46-vjeçari, që dyshohet se do trafikonte me automjet lëndë narkotike, drejt Maqedonisë së Veriut.

Sekuestrohen 53.3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, një automjet dhe dy celularë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, pas një pune hetimore disamujore, të zhvilluar për goditjen e krimeve ndërkufitare, si dhe në vijim të zbatimit të masave në kuadër të planeve operacionale kombëtare ,"Tempulli" dhe "Sundimi i ligjit", në drejtimin e Prokurorisë, në bashkëpunim me DVKM Korçë finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Restart 17".

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi:

-E. G., 46 vjeç, banues në Korçë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë, në dalje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë, shërbimet e Policisë, gjetën në automjetin tip "Volkswagen" që ky shtetas drejtonte, 53.3 kilogramë me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në pako. Sasia e drogës, e cila dyshohet se do të trafikohej në drejtim të Maqedonisë së Veriut, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me dy celularë dhe automjetin.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe për vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.