TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Kryeministri Edi Rama thotë se ka përfunduar procesi për Parkun e Madh Teknologjik Durana në Durrës. Nga një takim me studentë, kryeministri tha se ky park do të mundësojë tërheqjen e shumë kompanive apo start up-eve të fokusuara në zhvillimin e teknologjisë.
“Një nga vendimet që kemi sot, është përfundimi i procesit për Parkun e Madh Teknologjik Durana, një hapësirë e re me një legjislacion të posaçëm që do mundësojë tërheqjen e shumë kompanive apo start up për të zhvilluar aktivitetin e tyre në territorin e tij parku”, tha Rama.
Rama përmendi edhe projekte të tjera që kanë në fokus teknologjinë, si Vlora Tech Space apo Liceu francez Teknologjik që do të hapet në Korçë.
“Është një horizont i ri, sikundër do jetë Vlora Tech Space në qendër të Vlorës. Një godinë dikur e papërdorur në mes të sheshit po transformohet në një hapësirë që do të vihet në një masë të madhe në funksion të teknologjisë. Me fondacionin do hapin në shtator dyert e shkollës ekselence franceze në fushën e teknologjisë, studime të avancuara me teknologji inovative. Paralelisht me të edhe muzeun francez për teknologjinë në Korçë, projekt që po e ndjekim me presidentin e Francës dhe që është një zotim i bërë ndaj një komuniteti qytetarësh në Korçë që kërkuan të rilindë Liceu francez”, vijoi Rama.
Kreu i qeverisë tha se synohet krijimi i një ‘ekosistemi’ teknologjik, nisur edhe nga kërkesat e larta të sipërmarrjeve shqiptare për punonjës me dije në teknologji, ndërsa pagat në këtë sektor janë rritur ndjeshëm.
“Po krijohet një ekosistem i tërë për të mundësuar studimin e teknologjisë dhe punësimin e mirë paguar falë njohjes së teknologjisë”, u shpreh mes të tjerash Rama.
Rama ishte i pranishëm në institutin Harry Fultz, i cili ka arritur një bashkëpunim me Institutin e Teknologjisë në Rochester (RIT) që renditet ndër universitetet më të mira në SHBA. Kryeministri nënvizoi se ky program i jep mundësinë studentëve dhe nxënësve shqiptarë që në Shqipëri të mund të marrin një edukim të nivelit më të lartë ndërkombëtar dhe në fund fare të mund të marrin edhe një diplomë të barazvlershme me diplomën që merret në RIT.
Në këtë linjë, sipas Ramës është edhe programi mes Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit “Boku” në Vjenë, një tjetër institucion prestigjioz ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë. Në të dyja rastet, sipas Kryeministrit, studentët do të zhvillojnë mësimet dhe praktikat në Tiranë.