AKTUALITET, 3 Dhjetor 2024, 14:29

Dosjet për kompensimin e ish-pronarëve, afati për shqyrtimin shtyhet deri më 2027

Dosjet për kompensimin e ish-pronarëve, afati për shqyrtimin

Qeveria ka vendosur që të shtyjë afatin për shqyrtimin e dosjeve të ish-pronarëve deri në vitin 2027.Projektligji me ndryshimet është hedhur për konsultim dhe parashikon ndër të tjera edhe shtyrje të afatit për shpërndarjen e vlerës së kompensimit financiar deri në vitin 2028. Më herët në përputhje me ndryshimet ligjore të vitit 2022 procesi i shqyrtimit të dosjeve, që janë në proces shqyrtimi pranë Agjencisë, përfundonte brenda datës 31.12.2024.

Në lidhje me procesin e vendimmarrjes, ATP ka përmbyllur aktualisht procedimin administrativ, duke marrë vendim për 115 dosje ose 1.6% të kërkesave ende të patrajtuara, ndërsa ka filluar procedurat e njoftimit për plotësim dokumentacioni për rreth 2900 kërkesa për njohje pronësie ose 41.4% të dosjeve/praktikave.

Ndërkohë ecuria e proceseve gjyqësore dhe qëndrimi i gjykatave, të cilat përsa i takon trajtimit të kërkesave për njohje pronësie nuk kanë proceduar në të gjitha rastet edhe me vlerësimin financiar të së drejtës së njohur, shtyrja e afatit të vlerësimit të dosjeve deri në vitin 2027, krijon kushtet për vlerësimin financiar të titujve ekzekutiv gjyqësor nga ana e ATP-së.

Sipas parashikimeve ligjore, fondi i kompensimit prej 50 miliardë lekësh është i shpërndarë në 10 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit, pra deri në vitin 2026. Qëllimi i këtij projektligji është dhënia e mundësisë së qytetarëve që kërkesat e tyre të shqyrtohen në rrugë administrative nga Agjencia e Trajtimit të Pronës në një kohë më të shkurtër krahasuar me kohën që do të shpenzohej në rast të shqyrtimit të tyre nga juridiksioni gjyqësor.