AKTUALITET, 23 Prill 2026, 14:47

Dosja e SPAK/ Shehaj: Drejtoresha e AKSHI-t vidhte para me kuti verërash

Dosja e SPAK/ Shehaj: Drejtoresha e AKSHI-t vidhte para me kuti verërash

Kryetari i Partisë Mundësia Agron Shehaj ka reaguar lidhur me të dhënat e dosjes hetimore të SPAK-ut për ish-drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, duke i quajtur detaje tronditëse. Në një postim në rrjetet sociale, Shehaj duke iu referuar dosjes së Prokurorisë së Posaçme shprehet se paratë e qytetarëve shqiptarë vidheshin nga ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj duke u fshehur në kuti vere. “Paratë e shqiptarëve përfundonin tek drejtoresha, të fshehura në kuti vere. Në një rast, janë zbuluar 200 mijë euro”, shprehet Shehaj.

“Imagjinoni sa kanë përfunduar në kutitë e Ramës që u detyrua t’i mbronte publikisht e të na i ‘shiste’ si hallexhinj pa shtëpi”, shprehet Shehaj.

Ndërsa SPAK ka sekuestruar 3 apartamente të ish-drejtoreshës së AKSHI-t, truall, një automjet luksoz si dhe dy llogari bankare të cilat dyshohet se i ka përfituar përmes korrupsionit. Të dhënat janë në dosjen e SPAK e cila së fundmi ka sekuestruar pasuri me vlera marramendëse të personave në hetim në lidhje me dosjen e AKSHI-t që akuzohen si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, me në krye ish-drejtoreshën Karçanaj.

Postimi i Agron Shehajt:

Kuti vere të mbushura me euro! Në dosjen e AKSHI-t, SPAK ka zbuluar skema tronditëse. Paratë e shqiptarëve përfundonin tek drejtoresha, të fshehura në kuti vere. Në një rast, janë zbuluar 200 mijë euro. Imagjinoni sa kanë përfunduar në kutitë e Ramës që u detyrua t’i mbronte publikisht e të na i ‘shiste’ si hallexhinj pa shtëpi.