AKTUALITET, 22 Janar 2026, 21:44

"Dosja e 21 Janarit është e shkatërruar!"/ Lala: Agron Malaj të marrë statusin e të penduarit dhe të tregojë urdhëruesin!

"Dosja e 21 Janarit është e shkatërruar!"/ Lala: Agron

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka folur për hetimet e SPAK për vrasjet e 21 Janarit. 

Lala tha se hetimi i ngjarjes është i vështirë, pasi dosja është shkatërruar në prokuroritë e tjera ndër vite. Ajo deklaroi se shpresa kryesore për të zbardhur nëse ka patur një urdhërues për vrasjet, është Agron Malaj, ish drejtues i grupit të zjarrit, që sot është deputet i Partisë Socialiste dhe mund të bëhet i penduar i drejtësisë. 

"SPAK ka mbetur në pritje të përgjigjeve të akt ekspertimeve, ku është dërguar predha që është hequr nga trupi i Aleks Nikës. Pa marrë këtë, SPAK nuk mund të vijojë. Janë pyetur dëshmitarët kryesore, Berisha, Basha, Topi, disa nga punonjësit e gardës, është marrë dosja e vjetër, pra duke qenë se ka mbetur në këto dy akte ekspertimi, që lidhet edhe me disa komunikime në radio, pra duhen pritur këto rezultate. Në njëfarë mënyrë duket sikur ka mbetur në pritje të dokumentave.

Kam qenë skeptike për ngjarjet e 21 Janarit, nëse do të zbardhen. Kam menduar që politika nuk ka interes ta zbardhë. Ka patur një urdhër për të qëlluar mbi protestuesit. Se cili është personi që e ka dhënë urdhrin, duhet ta sqarojë drejtësia. Mënyra si janë zhvilluar ngjarjet në atë kohë, kishte disa momente. Iu dha kohë autorëve të dyshuar të shkatërronin provat materiale, të prishini pistoletat, kallashnokovët, të prishej serveri i Kryeministrisë, iu dha kohë për vite me rradhë. Nuk është vetëm pjesa e Berishës, që bëri aktin më të paprecedent duke mos zbatuar vendimin e prokurorisë për ndalimin e zinxhirit të gardës, por më vonë e mori pushtetin Rama dhe po të kishte vullnet për ta zbardhur, do të bëhej.

Po i kërkojmë një insitucioni drejtësia të zbardhë një ngjarje, me një dosje të shkatërrur. Kam parë xhaxhain e Aleks Nikës të pikëlluar, tha “SPAK deri tani po rikuperon një dosje maskaradë që ishte bërë nga prokuroritë e tjera”. Në këto kushte, kam qenë skeptike, ka vetëm një mundësi ët zbardhet ngjarja. Agron Malaj është deputet, ka qenë komandant i grupit të zjarrit, e di shumë mirë se kush e ka dhënë urdhrin, nëse merr statusin si i penduar, ai zbardhet.

E dyta, të zbulohen komunikimet e plota në radiot e zyrtarëve të gardës, sepse ne kemi vetëm fragmente që nuk e tregojnë të gjithën. Vetëm këto janë mundësitë. Edhe po u përcaktua plumbi i Nikës nga ka dalë, jemi sërish të ekzekutori", tha Lala.