AKTUALITET, 16 Prill 2026, 21:29

Djegia e pallatit në Tiranë, Lala përplaset ashpër me inxhinierin: Mbron interesa të caktuara! Meçe: Deformon situatën!

Djegia e pallatit në Tiranë, Lala përplaset ashpër me

Gazetarja Klodiana Lala dhe inxhinieri Arben Meçe, janë përplasur në emisionin"Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku po diskutohej për djegien e pallatit në kompleksin "Arlis" dhe materialin e përdorur në fasadë. 

Debati

Arben Meçe: Së pari, e gjithë fasada është veshur me lesh guri. Detaji i përdorur atje është standard. Izolimi i leshit të gurit me një material plastik. Vendoset alukobond, ose veshja e jashtme. Përbeht nga shtresë alumini dhe një shtresë polietilene, me bazë hidrokarbure. Është me trashëri 3 mm dhe nuk është lehtësisht i djegshëm. Në standarded shqiptare nuk ekziston asnjë bazë, kusht teknik dhe as ligjor mbi standardin e këtij materiali. Flas për panelin që i themi alukobond, por ka detyrim të respektohet standardi europian i mbrojtjes kundër zjarrit. Duhet përdorur opsion A2 dhe A4. Materiali polietilene mund të ketë aditiv që e kthejnë në të padjegshëm por mund të jenë edhe materiale të certifikuara. Është edhe material FR, rezistues ndaj zjarrit. Është detaji më i avancuar i një fasade.

Klodiana Lala: Çfarë garancie keni që janë zbatuar këto standarde? Kreu i zjarrëfikëseve tha se fasada ka ndikuar në djegien e menjëhershme. Kjo që thoni ju është teorike, por a janë zbatuar këto në rastin e “Arlis Ndërtim”? Nuk kemi akt-ekspertizë. Si e thoni prerazi? Ajo që folët është një standard. Çfarë keni konstatuar dhe nga dilni në këtë përfundim?

Arben Meçe: Mund t’ju sillja një fotografi të bërë dje të këtij detaje. Gazetarja mund të bënte regjistrimin e detajit atje.

Klodiana Lala: E kam bërë. Ore ti ke ardhur të mbrosh njeri tani këtu?

Arben Meçe: Ika tani. Një gazetare që thotë nuk është përdorur lesh guri, kur është përdorur, nuk e marr për bazë fare. Këta gazetarë e kanë deformuar situatën.

Klodiana Lala: Po e deformoni ju.

Ylli Rakipi: Pse u shkaktua zjarri?

Arben Meçe: Është fakt që u dogj. Jo unë por asnjeri nuk e mbron që ai është material i djegshëm.

Ylli Rakipi: A e ndalon ligji përdorimin e këtij materiali? 

Arben Meçe: Standardet në Republikën e Shqipërisë, nuk e lejojnë përdorimin e këtij materiali. Në fazën e projektitmit, supervizimit, kolaudimit, nuk kemi ekspertë që të identifikojnë nëse njër material është zjarr përçues ose jo. Nuk ka laboratorë që identifikojnë, standardid e një materiali. I vetmi që e certifikon dhe e pranon është certifikata e cilësisë.

Ylli Rakipi: Po në fund është shteti që e kolaudon apo jo?

Arben Meçe: Jo. Bëhet akti i kolaudimit, të gjithë dokumentacionin ligjor e merr dhe e përputh nëse është në përputhje me ligjin, e paraqet në Bashki. Nuk futet në cilësinë e materialeve. Supervizori nuk bën vlerësim të cilësisë së materialit. Sot as inxhinieri supervisor, as i zbatimit, as kolaudatori, nuk kanë ekspertizë. Është vetëm certifikata që shoqëron çdo material. Kemi për betonet, llaçrat, hekurin, laboratorë në Shqipëri. Për këtë material nuk kemi ekspertizë për ta cilësuar, është vetëm certifikatë. Mund të ketë ardhur si material zjarr-durues. Nuk e di.

Klodiana Lala: Është babëzia e firmave të ndërtimit.

Arben Meçe: Unë nuk bëj populizëm. Mos bëj populizëm, deri tani ke thënë shtatë mashtrime.

Klodiana Lala: Kjo është tentativë e juaja për të mbrojtur interesa të caktuara.

Ylli Rakipi: Kush e ndalon përdorimin e këtij materiali?

Arben Meçe: Certifikata.

Ylli Rakipi: Po sikur të jetë fallco?

Arben Meçe: Nuk ka institucion që e certifikon, përvec certifikatës që vjen nga fabrika. E njëjta gjë ka ndodhur në Angli para tre vjetësh. Ndodhi zjarri dhe u ndalua përdorimi.