AKTUALITET, 5 Prill 2024, 12:55

Digjet godina historike e ‘Bar Lulishte Butrinti’ në qendër të Sarandës, në rrezik edhe pema që mbolli Naim Frashëri (VIDEO)

Digjet godina historike e ‘Bar Lulishte Butrinti’ në

Godina historike e ‘Bar Lulishte Butrinti’ në qendër të Sarandës është përfshirë nga flakët  paraditen e sotme. 

Aktualisht kjo godinë administrohet si pronë nga bashkia, por pretendime për pronësinë e saj ka dhe familja mbretërore.

Prej vitesh godina nuk është funksionale.  Flakët kanë përfshirë dhe një godinë tjetër ku ishin disa biznese.

Ndërkohë nga flakët është dëmtuar dhe një pishë e vjetër. Zjarrfikësit po përpiqen të shpëtojnë nga flakët një pemë që quhet pema e Piperit të Naimit, një pemë që është gati 150-vjeçare përbri bar-lulishtes. Pema është mbjellë nga duart e shkrimtarit rilindas Naim Frashëri rreth viteve 1874-76.

Gjashtë mjete zjarrfikëse janë të pranishme për të izoluar flakët. Kryetari bashkisë Oltion Çaçi  dhe nën prefekti Kristo Kiço ndodhen në vendngjarje. 

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit.

‘Bar Lulishte Butrinti’ nuk është një objekt i panjohur për publikun shqiptar, sidomos për brezat e kaluar. Ai është një pjesë e bukur e historisë shqiptare, ku janë xhiruar pjesë nga filmi shumë i dashur “2 herë Mat”. Objekti kanë një hapësirë  rreth 200 m2 me sipërfaqe trualli prej 700 m2.