TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Një operacion i finalizuar nga Komisariati i Policisë Nr. 4 në Tiranë ka çuar në arrestimin e katër personave dhe shpalljen në kërkim të dy të tjerëve, të dyshuar për përfshirje në trafikimin e armëve të zjarrit.
Siç bën me dije gazetari Esido Barkaj, hetimet për këtë grup kishin nisur prej më shumë se tre muajsh. Gjatë kësaj periudhe, policia ka identifikuar gjashtë persona të dyshuar, të cilët dyshohet se vepronin të ndarë në dy ose tre grupe kriminale dhe kishin lidhje me grupe të tjera në qytete të ndryshme të Shqipërisë.
Sipas hetimeve, ata merreshin kryesisht me trafikimin dhe shitjen e pistoletave, por edhe të armëve të tipit kallashnikov. Policia po vijon hetimet për të përcaktuar origjinën e armëve, ndërsa dyshohet se një pjesë e tyre janë siguruar në Sarandë, të tjera në Elbasan dhe në Tiranë, për t’u shpërndarë më pas në zona të ndryshme të vendit.
Mes personave të shpallur në kërkim është edhe 21-vjeçari K.Vila, i cili dyshohet se kishte rol organizues në një prej grupeve që merrej me trafikimin e armëve të zjarrit.
Procedimi penal ndaj këtij rrjeti ka nisur pas arrestimit të disa personave të tjerë që vepronin në zonën e Freskut. Në vijim të hetimeve, policia ka përdorur metoda proaktive, përfshirë përgjimet dhe blerjet e simuluara të armëve.
Sipas burimeve, agjentë të Komisariatit Nr. 4 janë paraqitur si persona të interesuar për blerjen e armëve, duke realizuar disa transaksione të kontrolluara. Këto veprime kanë siguruar prova të rëndësishme, të cilat kanë dokumentuar aktivitetin kriminal të grupit dhe kanë shërbyer për goditjen e tij.
