AKTUALITET, 15 Janar 2026, 11:04

Detaje/ “S’donte të jetonte me djalin”, e moshuara ndërroi jetë nga asfiksia pasi banesa iu përfshi nga flakët, fqinjët: Prej muajsh, e paralizuar nga këmbët

Detaje/ “S’donte të jetonte me djalin”, e moshuara

Fqinjët e 70-vjeçares e cila ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë pasi banesa e saj u përfshi nga flakët, kanë rrëfyer se e moshuara jetonte vetëm dhe se ishte paralizuar nga këmbët muajt e fundit.

Sipas njërës prej fqinjeve, F.P kishte një vajzë dhe një djalë, ndërsa nuk kishte pranuar të jetonte me ta, pasi donte të rrinte vetëm.

Ajo u shpreh se asaj i shërbente një zonjë, ndërsa shton se edhe gratë e tjera të lagjes e ndihmonin për pazaret.

“Kishte një  zonjë që kujdesej për të. Ka një djalë, i patë thënë të shkonte me të ajo nuk donte. Hajde se kemi dhe një shtëpi tjetër i tha djali, në kat të dytë, ajo thoshte: “jo se nuk zbres dhe nuk hipi dot”. Jetonte vetëm, ka disa muaj që u paralizua nga këmbët. Kishte një që kujdesej për të, e ndihmonte me sa kishte mundësi.

Jetonte vetëm, kishte vite. Nuk donte të shkonte me djalin. Ka një djalë dhe një vajzë. “Dua të rri veç” thoshte, donte rehatinë e saj. Kush i di problemet. Dilte ne ballkon, por kohët e fundit na hidhte çantën poshtë, që t’i merrnim gjera”, tha fqinja e viktimës.

“Nuk dilte nga shtëpia. Bukën, gjerat ja merrnin gratë e tjera, shoqet, unë”, tha një tjetër.

Sipas informacioneve dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e jorganit me korrent që përdorte e moshuara. Mësohet se Fluturie Potka ka pësuar edhe djegie.

Korçë/Informacion paraprak

Më datë 15.01.2026, rreth orës 09.10, në lagjen nr. 13, Korçë, ka rënë zjarr në banesën e shtetases F. P., rreth 73 vjeçe, e cila si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë.

Shërbimet e policisë dhe të zjarrfikëses ndodhen në vendngjarje, për të bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkakun e rënies së zjarrit dhe për të bërë dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.