AKTUALITET, 5 Qershor 2026, 18:01

Dëshmori i Atdheut, Enea Mekolli përcillet me nderime të larta/ Hita: Sakrifica e tij, frymëzim i përjetshëm

Dëshmori i Atdheut, Enea Mekolli përcillet me nderime të larta/

Dëshmori i Atdheut, Enea Mekolli u përcoll sot me nderime të larta në ceremoninë e lamtumirës së fundit.

Në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, kolegë, drejtues të institucioneve të rendit dhe qytetarë, të cilët i dhanë lamtumirën efektivit të Policisë së Shtetit, i cili humbi jetën gjatë një operacioni për kapjen e një personi të kërkuar në zonën e Maliqit.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita mbajti fjalën përkujtimore, duke vlerësuar sakrificën dhe kontributin e efektivit të rënë në detyrë

Në fjalën e tij Hita shprehu dhimbjen e thellë për humbjen e efektivit, duke theksuar se e gjithë Policia e Shtetit e ka përjetuar këtë ngjarje si një plagë të rëndë dhe të përbashkët.

Ai vlerësoi Mekollin si një punonjës shembullor, një profesionist me integritet të lartë dhe një njeri që, sipas tij, “e veshi uniformën me dinjitet dhe e nderoi deri në sakrificën më të madhe”, duke dhënë jetën në shërbim të rendit dhe sigurisë publike.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit theksoi se sakrifica e tij përbën një shembull të përkushtimit ndaj detyrës dhe misionit të policisë për mbrojtjen e qytetarëve dhe zbatimin e ligjit.

Në fjalën e tij, Hita u shpreh se Policia e Shtetit mbetet e bashkuar në dhimbje dhe solidaritet me familjen e të ndjerit, ndërsa garantoi mbështetje të plotë për familjarët dhe të afërmit e tij.

Ai nënvizoi gjithashtu se çdo rrethanë e ngjarjes do të hetohet me seriozitet të plotë në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, ndërsa autoritetet ligjzbatuese do të vijojnë punën për vënien përpara drejtësisë të autorit të ngjarjes.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë nderimi dhe dhimbjeje të thellë, ku u theksua edhe vlerësimi për kontributin dhe sakrificën e efektivit të rënë në detyrë.