AKTUALITET, 2 Shkurt 2023, 14:05

Dënohet me 40 orë punë publike/ Kryebashkiaku i Mallakastrës përfundon dëshminë në SPAK: Beteja ligjore vazhdon

Dënohet me 40 orë punë publike/ Kryebashkiaku i Mallakastrës
Kryebashkiaku i Mallakastrës Qerim Ismailaj

Kryebashkiaku i Mallakastrës dënohet me 40 orë punë publike.

Qerim Ismailaj pas përfundimit të dëshmisë në SPAK ka dhënë një komunikim për mediat. Pas më shumë se dy orësh në SPAK Ismailaj tha se do të vazhdojë betejën ligjore.

“Në fund fare u dha 40 orë punë publike. Por ne do të vazhdojmë betejën ligjore”, tha ai.

“Në aplikim të nenit 63 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Qerim Ismailaj dhe detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik, pa shpërblim, për një kohë prej 40 (dyzet) orësh, e cila do të përmbushet brenda afatit prej 6 muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës”, thuhet në vendimin e gjykatës.

VENDIMI

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me:

GJYQTARE – Irena GJOKA

Asistuar nga sekretare gjyqësore Bora TOTOLAKU, sot, në Tiranë, më datë 02.02.2023, në seancë gjyqësore, mori në shqyrtim çështjen penale nr.35/112 Regjistri, datë 05.10.2022 regjistrimi, me:

KËRKUES: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e
përfaqësuar nga prokurori Adnan Xholi.

I PANDEHUR: Qerim Ismailaj, i biri i Ismail-it dhe i Yllnore-s, i datëlindjes 17.05.1974,
lindur në fshatin Çorush, Mallakastër dhe banues në fshatin Anëbreg,
Nr.076, H.0. Ap.00, Kutë, Mallakstër, me gjëndje civile i martuar, me
gjëndje gjyqësore i padënuar, me arsim të lartë, me shtetësi shqiptare,
mbrojtur në gjykim nga ana e av.Andi Skënderi, antëtar i Dhomës Vendore
të Avokatisë Tiranë.

AKUZUAR: Për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i
formularëve” parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal.

Gjykata, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi dëgjoi palët në konkluzionet përfundimtare dhe vlerësoi çështjen në tërësi, bazuar në nenet 112 pika 1 dhe 2, 379 pika 1, 384, 390 pika 1, 393 pika 2, 406/1, 415 pika 1 dhe 422 pika 1 të Kodit të Procedurës Penale

VENDOSI:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Qerim Ismailaj për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve” parashikuar nga neni 190 paragrafi i parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me 6 (gjashtë) muaj burgim.

2.Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, uljen e dënimit me 1/3 dhe dënimin përfundimtar të të pandehurit Qerim Ismailaj me 4 (katër) muaj burgim.

3. Në aplikim të nenit 63 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim për të pandehurin Qerim Ismailaj dhe detyrimin për kryerjen e një pune në interes publik, pa shpërblim, për një kohë prej 40 (dyzet) orësh, e cila do të përmbushet brenda afatit prej 6 muajsh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin e Provës.

4. Kundër vendimit, lejohet ankim nga palët, brenda 15 (pesë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit.

U shpall në Tiranë, sot me datë 02.02.2023.