AKTUALITET, 25 Mars 2026, 21:28

Dënimi me burgim të përjetshëm të Ruben Saraivas, reagon familja e Ardian Nikulajt: Drejtësia nuk mbaron pa u zbuluar porositësit!

Dënimi me burgim të përjetshëm të Ruben Saraivas,

Pas vendimit të Gjykatës së Lezhës për dënimin me burgim të përjetshëm të Ruben Saraivës për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ka ardhur reagimi i parë nga familja e viktimës.

Të afërmit e Nikulajt e cilësojnë vendimin si një hap të rëndësishëm drejt drejtësisë, por theksojnë se plagët e kësaj ngjarjeje mbeten ende të hapura.

Familja kujton se ekzekutimi i Nikulajt, i qëlluar me gjashtë plumba në ambientet e biznesit të tij në Shëngjin, është një dhimbje e madhe, veçanërisht për fëmijët e tij, të cilët po rriten pa praninë e të atit.

Sipas tyre, ajo që e rëndon më shumë situatën është fakti se personat që u prezantuan si turistë britanikë në hotelin e tij, në të vërtetë dyshohet se kishin ardhur për ta survejuar para se të kryhej vrasja nga Saraiva.

Familjarët shprehin gjithashtu shqetësim për mungesën e përparimit në nxjerrjen para drejtësisë të personave të tjerë të përfshirë në këtë krim, veçanërisht të shtetasve britanikë që dyshohet se kanë luajtur rol në organizimin e atentatit.

Ata falënderojnë Policinë e Lezhës, Interpol Tiranën dhe prokurorët për punën në zbardhjen e çështjes dhe ekstradimin e autorit nga Maroku, por ngrenë shqetësimin për vonesat në ekstradimin e pesë të arrestuarve në Angli që nga viti 2023.

“Drejtësia për Ardianin nuk mund të konsiderohet e plotë pa u identifikuar dhe ndëshkuar urdhëruesit dhe financuesit e vrasjes”, shprehen familjarët.

Ndërkohë, hetimet e Prokurorisë së Lezhës kanë ngritur dyshime mbi personat që mund të kenë porositur dhe financuar krimin, por deri më tani mungojnë provat për t’i çuar ata para drejtësisë.

“Barbaria e ekzekutimit me gjashtë plumba të Ardianit nga i dënuari drejtësisë shqiptare sot Ruben Saraiva, është një plagë që nuk do të mbyllet kurrë posaçërisht për fëmijët e Ardianit që po rriten pa ngrohtësinë e babait të tyre. Pavarësisht vendimit të sotëm për Ruben Saraivën ne vijojmë të jemi të lënduar nga fakti se Ardiani i trajtojë si miq që të gjithë britanikët ardhur në hotelin e tij, por në fakt ata kishin ardhur me qëllim për ta survejuar e të vritej më pas nga bashkëpunëtori i tyre Ruben Saraiva”, shprehet familja.

Ne u jemi falënderues oficerëve të policisë Lezhë që hetuan vrasjen, zyrës së Interpol Tiranës të cilët bënë gjithçka për ekstradimin nga Maroku të Ruben Saraivës, përfshi prokurorët e çështjes për çuarjen përpara drejtësisë të Ruben Saraivës por jemi të shqetësuar, nga vonesa në ekstradimin e të pesë të arrestuarve në Angli prej vitit 2023, si të përfshirë në vrasjen e Ardianit. Në të njëjtën kohë nuk do të ketë drejtësi të plotë për Ardianin dhe qetësi për familjen Nikulaj, nëse nuk zbulohen dhe dalin përpara drejtësisë, urdhëruesit dhe financuesit e vrasjes”, shprehet familja.