AKTUALITET, 29 Janar 2025, 19:37

“Dekretet e Trump mbërrijnë në Shqipëri”, Balliu: Projektet sorosiste nuk do të financohen më nga SHBA!

“Dekretet e Trump mbërrijnë në Shqipëri”,

Sekretari Organizativ i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale pas njoftimit të ambasadës amerikane për ndërprerjen e financimeve për projekte të lidhura me Fondacionin Soros.

Në një postim në Facebook, Balliu e cilëson këtë vendim si një goditje për atë që ai e quan “drejtësia sorosiste” në Shqipëri, duke e akuzuar se ka kapur sistemin e drejtësisë dhe ka lënë pezull mijëra çështje gjyqësore.

“Zyrtarisht projektet sorosiste nuk do të financohen më nga SHBA. Mafia e Sorosit, që ka kapur drejtësinë shqiptare, bën mirë të largohet për çdo krim që ka bërë,” shkruan Balliu, duke akuzuar institucionet e reja të drejtësisë për dështime të rënda, përfshirë mungesën e një Gjykate Kushtetuese funksionale dhe bllokimin e mbi 140,000 çështjeve të qytetarëve.

Ai shton se “SKAPI sorosisto-socialist” do të mbajë përgjegjësi për arrestimet e figurave të opozitës dhe paralajmëron se drejtësia do të triumfojë mbi atë që ai e quan “padrejtësia e Dumanëve të pushtetit”.