AKTUALITET, 6 Shkurt 2025, 22:37

Deklarata e Grenell, Zogaj: Nuk ka ndodhur ndonjëherë, Kurti ka një problem që i ka të gjithë kundër

Deklarata e Grenell, Zogaj: Nuk ka ndodhur ndonjëherë, Kurti ka

Emisari i posaçëm i presidentit Trump, Riçard Grenell, deklaroi tre ditë më parë që Kosova nuk duhet të votojë më për kryeministrin Albin Kurti në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe se “Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”.

Analisti Preç Zogaj deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV se  nuk ka ndodhur ndonjëherë që një përfaqësues i një vendi të ketë bërë një deklaratë të tillë të drejtpërdrejtë dhe të qartë.

“Është deklaratë invadente. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një përfaqësues i një vendi të ketë bërë një deklaratë të tillë të drejtpërdrejtë dhe të qartë. Duhet të kemi parasysh se Grenell ka një funksion. Ai është i ngarkuar nga presidenti Trump.

Ndoshta qëndrimi ndaj Kosovës është e vetmja pikë ku të dy administratat dhe në përgjithësi arkitektura politike e SHBA ka qëndrim të ngjashëm. Nuk di të ketë një pikë tjetër ku takohen administrata Biden dhe ajo Trump. Pra, kanë qëndrime kritike ndaj qeverisë “Kurti”.

Mos vallë ka një problem vetë Kurti që i paska të gjithë kundër?

Në zgjedhjet e 2021, Kurti ka mundur dy personalitete në arrest, nuk ka mundur dy opozita. Fusha ishte krejt e lirë”- tha Zogaj.