AKTUALITET, 19 Janar 2026, 12:26

Debati në Konferencën e Kryetarëve, Gjekmarkaj: Do të përballemi me ju në Kuvend e në sheshe! Hakmarrja e drejtësisë do të bjerë mbi ju!

Debati në Konferencën e Kryetarëve, Gjekmarkaj: Do të

Deputeti i Partisë Demokratike tha gjatë mbledhjes së sotme të Konferencës së Kryetarëve, para seancës së Kuvendit, se maxhoranca ka frikë nga fjala e opozitës.

Ai kujtoi nisjen e sesionit të ri parlamentar, teksa tha se në këto muaj, socialistët kanë dhunuar rregulloren dhe opozitën. Sipas tij, në 11 seanca, vetëm në një kanë arritur të bëjnë një debat normal sepse sipas tij, ata kishin frikë nga opozita për shkak të skandaleve të fundit që kanë përfshirë qeverinë.

“Ju, zoti Kryetar, na uruat Vitin e Ri dhe unë ju uroj vit të mbarë secilit në plan personal, por këtu nuk jemi përfaqësues të vetes dhe të shtëpive tona, por të qytetarëve, të cilët shohin një Parlament të bllokuar! Viti nuk ka filluar mbarë, sepse viti tjetër mbaroi keq!

Katër muajt nga shtatori në dhjetor kanë qenë muajt më të shëmtuar të parlamentarizmit: dhunim i Rregullores, dhunim i opozitës. Në 11 seanca vetëm një a dy herë kemi bërë debat normal, sepse keni pasur frikë nga fjala e opozitës, të përfshirë nga skandalet tuaja!

Që të kemi vit të mbarë, duhet që drejtësia të mos merret peng, që viti të mos fillojë me hungërima, përçarje e çjerrje, se si doni t’i tregoni vendin opozitës! Ju them: mos guxoni! Do ta keni përballë opozitën në Kuvend dhe në sheshet e Shqipërisë! Meqë zoti Balla iu referua raportit të OSBE/ODIHR, i them se ai raport jua rrëzoi zgjedhjet e vjedhura të 11 Majit, ato dy të tretat që ju thoni!

Zoti Balla foli për një Shqipëri që nuk ekziston. Foli për vizione, duke shmangur atë që Shqipëria reale pret të dëgjojë, atë që qytetarët duan: dënimin e korrupsionit. Çfarë keni për të thënë për drejtësinë e marrë peng me dhunë nga mazhoranca? Për sekserin apo taksidarin e Republikës, që ta ka pushuar nga puna edhe ty si ministër, apo ndonjë tjetër këtu?

Hakmarrja e drejtësisë, jo “hakmarrja për drejtësi”, do të bjerë mbi ju, nga brenda dhe nga jashtë. Kësaj dialektike nuk i shmangeni dot.”, u shpreh ai.