TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se ka miratuar një përjashtim (waiver) për shpalljen e ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha sipas nenit 7031(c), duke i hapur rrugën heqjes së kufizimeve që ishin vendosur ndaj tij nga administrata e mëparshme amerikane.
Në një përgjigje për TPZ, Zyra e Shtypit e Departamentit të Shtetit deklaroi:
“Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime (waivers) për disa përcaktime sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës të Shteteve të Bashkuara”.
Përgjigjja e Departamentit të Shtetit përbën konfirmimin e parë zyrtar se administrata aktuale amerikane ka vendosur të mos zbatojë më kufizimet e vendosura ndaj Berishës në vitin 2021.
Megjithatë, autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme mbi arsyet konkrete që çuan në këtë vendim dhe as nuk kanë sqaruar nëse është ndryshuar vlerësimi i tyre për akuzat që shoqëruan shpalljen fillestare.
Në maj të vitit 2021, Sekretari i atëhershëm i Shtetit, Antony Blinken, shpalli publikisht Sali Berishën dhe familjen e tij si të papranueshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, duke e akuzuar ish-kryeministrin për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm dhe minim të demokracisë.
Sipas përgjigjes së fundit të Departamentit të Shtetit, administrata amerikane ka zgjedhur të përdorë mekanizmin e përjashtimit, duke argumentuar se kjo i shërben një "interesi kombëtar bindës dhe të rëndësishëm" të SHBA-së.
Çfarë nënkupton konkretisht ky interes kombëtar, cilat ishin konsideratat që çuan në dhënien e përjashtimit dhe nëse Uashingtoni vazhdon apo jo t'u qëndrojë vlerësimeve të bëra në vitin 2021, mbeten pyetje për të cilat Departamenti i Shtetit nuk ka dhënë ende përgjigje.