TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Pas gati 7 muajsh seancë paraprake, GJKKO ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, nënën e kësaj të fundit Fatime Kryemadhi, Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun, në kuadër të hetimit për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie për aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI në SHBA.
Tre prej të pandehurve, Xhixho, nëna e Kryemadhit dhe mikesha e saj Çoku kanë bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar, ndërsa ish-çifti Meta-Kryemadhi kërkojnë gjykim me procedurë të zakonshme. Gjyqi ndaj 5 të pandehurve do të nisë pasi të zgjidhet treshja e gjyqtarëve relatorë, ndërsa gjyqtarja e seancës paraprake Irena Gjoka rrëzoi të gjitha kërkesat për pavlefshmëri dhe papërdorshmëri të provave.
SPAK i akuzon Metën dhe Kryemadhin për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie dhe sipas hetimeve të nisura që prej vitit 2019, ish-çifti duke shfrytëzuar pushtetin dhe influencën politike kanë favorizuar biznese të caktuara kundrejt përfitimeve monetare. Xhixho, babai i zv. presidentes aktuale të PL-së Erisa Xhixho, akuzohet për korrupsion, ndërsa Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku për pastrim parash.
Kreu i PL, Ilir Meta ka reaguar pasi GJKKO vendosi të kalojë për gjykim dosjen ndaj tij dhe 4 të pandehurve të tjerë.
Reagimi i plotë
Dihet se e gjithë Ramaforma ishte një Drejtësi me Regji, për të shtuar korrupsionin në përmasa skizofrenike në Shqipëri, siç e provoi edhe raporti i Transparency International, që faktoi përkeqësimin me 11 vende, krahasuar me një vit më parë. Sot u shënua edhe një gjykim “me risi”.
Edhe pse gjykatësja konstatoi drejtësinë e shumë pretendimeve tona, me mungesën e qëllimshme të veprimeve hetimore nga akuza për moszbardhjen e së vërtetës, në vend që të kërkonte që të bëheshin këto hetime të domosdoshme, por të shmangura qëllimisht deri tani, vendosi që çështja të kalojë në gjykim, por edhe listoi të gjitha veprimet hetimore, që duhen bërë njëkohësisht për zbardhjen e së vërtetës.
Pra tani nuk do të kemi vetëm gjykim por paralelisht edhe hetim. Sidoqoftë, duke shprehur keqardhjen që humbëm 6 muaj kohë, edhe pse u dokumentuan shumë gënjeshtra të akuzës gjatë këtij procesi, mezi presim fillimin e gjykimit në themel dhe i ftoj të gjithë gazetarët dhe të gjithë trupin diplomatik në Tiranë që të ndjekin çdo seancë.
Përfundimi i seancës paraprake na jep lirinë që të çmontojmë publikisht të gjitha gënjeshtrat, falsifikimet dhe mashtrimet që ndodhen në fashikuj.
Falenderoj dy avokatët e mi, Kujtim Cakrani dhe Gylsen Zhllima për punën e tyre dhe për pranimin e të gjithë provave të reja nga gjykata, të paraqitura prej tyre, të cilat prokurorët i kishin shmangur qëllimisht. I paçuditur nga bllokimi recidivist i integrimit europian nga Edi Rama, i cili ka tmerr edhe nga drejtësia e tij".
KUSH KALON PËR GJYKIM
Ilir Meta
Akuzat: Korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie
Monika Kryemadhi
Akuzat: Korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie
Pirro Xhixho
Akuza: Korrupsion
Fatime Kryemadhi
Akuza: Pastrim Parash
Ema Çoku
Akuza: Pastrim Parash